RMV, limiti i pagesave kesh është rritur nga 500 në 3000 euro

Në vend që të paguajnë deri 500 euro kesh, me ndryshimet në Ligjin për parandalim të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit tani lejohen kesh pagesa deri 3000 euro. Ndryshimet u miratuan me procedurë të shkurtuar në seancën parlamentare të mbajtur më 27 dhjetor, me iniciativën e një grupi deputetësh. Propozimin për të rritur kufirin e pagesës me kesh e kanë parashtruar deputetët Ejup Alimi, Rexhail Ismaili, Agim Shaqiri, Aleksandar Filipovski, Agim Murtezanov dhe Miroslav Jovanov. 54 deputetë votuan në favor të ndryshimeve, pa asnjë abstenim.

Ministria e financave, për të ulur ekonominë informale, më parë e pat ulur pragun e kesh pagesave nga 15,000 në 2.000 euro. Më 1 janar 2019 ai prag u ul në 1.000 euro, ndërsa nga qershori në 500 euro. Ministri i atëhershëm i financave, Dragan Tevdovski tha se aplikimi i kësaj mase është një nga arsyet për raportin pozitiv të Komisionit Evropian në fushën e luftës kundër ekonomisë informale, transmeton SDK.

“Në Ligjin për parandalim të pastrimit të parave e kemi ulur kufirin e kesh pagesave, që është një nga masat më të forta,” tha Ministri i financave Dragan Tevdovski vitin e kaluar.

Në arsyetimin e grupit të deputetëve që i kanë propozuar ndryshimet thuhet që rregullorja ekzistuese i kufizon qytetarët dhe u krijon detyrime shtesë.

“Dispozita e parashikuar, në periudhën nga 1 qershori 2019 deri më sot, ka shkaktuar kufizime për një numër të madh të qytetarëve, të cilët sipas nevojave të tyre, të drejtën për pagesa me kesh, për mallra dhe shërbime mbi 500 euro në kundërvlerë në denarë,  nuk mund ta shfrytëzojnë për shkak të kësaj dispozite kufizuese, e cila imponon detyrime shtesë qytetarëve. Për shkak të shumës së kufizuar me ligj, shumë situata të përditshme me të cilat përballen qytetarët nevojitet që Ligji të ndryshohet dhe harmonizohet me rregulloret ligjore për pagesa me kesh me vendet e BE-së, si Belgjika, Italia, Hungaria, Republika Çeke, Polonia, Letonia, Sllovenia dhe të tjerat,” thuhet në arsyetimin e deputetëve.

Ndryshimet në Ligj do të hyjnë në fuqi me botimin në Gazetën Zyrtare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button