Tragjedi në Somali, 73 të vdekur nga një sulm me bombë (VIDEO)
Të paktën 73 persona kanë humbur jetën si pasojë e sulmit me bombë në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu, në mesin e të cilëve edhe dy shtetas turq, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacionit të marrë nga burimet e sigurisë, autobomba ka shpërthyer në afërsi të qendrës doganore në kryeqytet, përderisa kalonte një autobus me studentë universitar.
Mjeku i Spitalit “Medine”, Muhammed Yusuf, tregoi se në spital janë sjellë 73 kufoma të njerëzve që kanë humbur jetën në sulm.
Kryetari i Komunës Mogadishu, Omar Mahmud, tha se shumica e të vdekurve në sulm janë studentë si dhe nxënës që shkonin në shkolla.
Zëdhënësi i qeverisë së Somalisë, Ismail Muhtar, në deklaratën për agjencinë Associated Press, tregoi se shumë persona janë dërguar në spital dhe shprehu shqetësim për rritjen e numrit të të vdekurve.
Nga ana tjetër në mesin e viktimave janë edhe dy shtetas turq.
Gjithashtu, përreth vendit ku ndodhi sulmi, në shumë biznese janë shkaktuar dëme serioze.