OBSH: Somalia kërcënohet nga sëmundje vdekjeprurëse për shkak të thatësirës
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se shteti afrikan i Somalisë është në rrezik nga sëmundjet vdekjeprurëse dhe kequshqyerja për shkak të thatësirës, raporton Anadolu Agency (AA).
Përfaqësuesi i OBSH-së në Somali, Mamunur Rahman Malik, në një intervistë për AA tha se disa zona të vendit tashmë janë në një situatë të ngjashme me urinë. Ai i bëri thirrje qeverisë të zhvendosë fokusin e saj në ofrimin e mbështetjes për popullatën e rrezikuar.
Përfaqësuesi i OBSH-së tha se pasojat shëndetësore të një prej thatësirave më të këqija janë alarmante dhe paralajmëroi për një kërcënim më të madh nga sëmundjet sesa nga uria.
Thatësira besohet se ka prekur 50 për qind të popullsisë së vendit dhe më shumë se shtatë milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë humanitare. Thatësira ka zhvendosur gjithashtu gati një milion njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë.
“Nëse nuk i japim prioritet shëndetit për sa i përket zgjerimit të aksesit në kujdesin shëndetësor emergjent dhe shpëtimit të jetëve, njerëzit do të përfundojnë duke vdekur nga sëmundjet. Prandaj, ne duhet të mbrojmë shëndetin e njerëzve të cenueshëm për të shpëtuar jetën e tyre nga shkaqe që janë kryesisht të parandalueshme. Ne po shohim një numër të madh rastesh të kolerës, diarresë akute, pneumonisë dhe fruthit në mesin e popullatës së prekur nga thatësira”, tha Malik.
Një përfaqësues i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha se janë dëshmitarë të rritjes së rasteve të kolerës. Deri më tani janë raportuar 4.887 raste të dyshuara të këtij infeksioni akut që prek zorrën e hollë, duke rezultuar në 16 vdekje nga 21 rrethe të prekura nga thatësira.
Nga numri i përgjithshëm i pacientëve, 62,4 për qind janë fëmijë nën moshën pesë vjeç.
Krahas kolerës, rajoni po shënon një rritje të ndjeshme edhe të rasteve me diarre akute. Që nga fillimi i vitit në zonat e prekura nga thatësira janë raportuar 29.273 raste të diarresë akute.
OBSH ka vendosur më shumë se 2.500 punonjës shëndetësorë për të ndihmuar komunitetet lokale të shpëtojnë jetë, të shpërndajnë suplemente mikronutriente, të kontrollojnë ushqimin dhe të kujdesen për fëmijët e sëmurë në familjet që nuk mund të vizitojnë qendrat shëndetësore.