LIRIA E GAFORRES

Migjeni nuk këndoi për lavdinë, krenarinë dhe trimërinë shqiptare, sepse nuk kishte vetëdije glorifikuese. Ai më shumë foli për veset se sa për virtytet shqiptare. Një njeri ose një popull rend përpara nëse i largon ferrat nga ndërgjegjja. Për lavditë e së kaluarës flasin ata që nuk kanë ide dhe e ngufatin të sotmen.

Migjeni s’u këndoi hyjneshave dhe burrneshave, sepse ishte kundër një vetëdijeje epike. Gruaja e gjorë e skicave të tij e shet trupin për të mbijetuar. Burrat epikë, që në kohë lufte ishin përballur me një ushtri, i përkuleshin një nëpunësi të thjeshtë, sepse nuk dinin si të vepronin në rrethanat e reja.

Migjeni nuk jetoi me ëndrrën e përsosmërisë, e cila, sipas Maks Frishit, është ëndrra e fashizmit. Pra, një ëndërr për origjinën e përsosur, popullin e përsosur, shtetin e përsosur, gjuhën e përsosur, kulturën e përsosur, racën e përsosur, sistemin e përsosur, ideologjinë e përsosur, e cila virtytet ia pranon vetëm botës së vet, kurse veset ua përshkruan të tjerëve.

Botës shqiptare, sipas Migjenit, i duhej një ideal i ri dhe një mënyrë e re e jetesës. “Dielli alegorik” i tij nuk ishte ideologjia komuniste, sikurse ka pretenduar kritika dogmatike, por ishte ideali për një jetë më të avancuar kulturalisht e shpirtërisht.

Njeriu i Migjenit nuk është njeriu i ri i komunizmit. Ai nuk mund të formohej nga kjo ideologji, por nga “gjin’ i dheut tonë” e nga “thalb’ i shpirtit tonë”. Ai duhej që të besonte në dashuri, të përpiqej për një ide të re, për një ideal bujar, “për një agim të lum e të drejtë kombtar”.

Migjeni s’e mohon traditën, por nuk e pranon pa gjykim kritik. Njeriu i Migjenit është i lirë, i pa robëruar nga disa pranga të traditës, që e pengojnë zhvillimin e shoqërisë dhe të individit; as nuk e pranon lirinë e gaforres, pra të jetosh pa e ditur përse jeton (“Liri! – Po, liri dhe gaforrja gëzon, / por gaforre asht…”); as nuk dëshiron të jetojë në “të tashmen e përjetshme”, siç thotë Eliade; as nuk i nënshtrohet tiranisë së turmës, diktaturës së mendimeve të gatshme apo banalitetit, por priret nga esenca, për sa kohë njeriu me probleme ekzistenciale mendon vetëm për bukën e përditshme dhe nuk ndjen përgjegjësi për jetën e përgjithshme.

Një model i ngjashëm i duhet kohës sonë, që dominohet nga prijës pa ide, nga përsëritës e riformulues idesh të vjetra. I duhet qytetari i ri, që di ta lexojë kohën e tij; që punon me përkushtim për ta përsosur veten dhe shoqërinë; që e di se rrugëtimi deri te dija është i vështirë; që e di se për ku është nisur; që e kërkon ndryshimin.

Për sa kohë mungon ndjenja për ndryshim, askush nuk mund të thotë se këtu jeton një popull që ndërton diçka të re. Një popull pa ndjenjën për ndryshim, që mahnitet nga flamujt e  melankolisë trishtuese, që lejon të udhëhiqet nga mendjet mediokre, që është indiferent ndaj të keqes (madje e përkrah), është vetëm figurant në skenën e historisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button