Ja kush është lojtari më i shtrenjtë i kuqezinjve

Thomas Strakosha është fituesi i ri i Kupës së Italisë.

Gardiani i kombëtares shqiptare luajti titullar në finalen e zhvilluar në Riad të Arabisë Saudite ndaj Juventusit, duel i fituar me shifrat 3-1. Rezultat që vjen pas formës së mirë që po kalon portieri i kuqezinjve, që është padiskutim numri 1 nën urdhërat e Edi Rejës, transmeton OraNews.

Kjo ka sjellë edhe rritjen monetare të kartonit të tij. Sipas portalit të specializuar “Transfermarkt”, kartoni i Strakoshës vlen 25 milionë euro, duke u bërë kështu lojtari më i shtrenjtë i kombëtares sonë.

RRITJE – Por, nuk është vetëm Thomas Strakosha, i cili ka pësuar rritje në vlerën e tij në merkato falë performancave të shkëlqyera me Lacion dhe Kombëtaren. Dy mbrojtësit e tjerë, vlera e të cilëve është rritur maksimalisht, janë Berat Djimsiti dhe Marash Kumbulla.

Të dy vlejnë nga 10 milionë euro. Mbrojtësi i Atalantës ka pasur ndeshje mjaft të mira në Serinë A, por edhe në Ligën e Kampioneve, ku zikaltërit u kualifikuan për herë të parë në histori dhe siguruan kualifikimin në fazën e 1/16-ave.

Ndërkohë, Marash Kumbulla është padiskutim zbulimi i Serisë A këtë vit, pasi në një sezon në elitën e futbollit italian ka arritur që të kapë vlerën 10 milionë euro. Për të janë të interesuara skuadra shumë të mëdha, si Napoli, Interi dhe Juventusi. Rritje të lehta në vlerën e tyre kanë edhe lojtarët si Dermaku, Ismajli e Gjasula.

RËNIE Elseid Hysaj është ai që ka ndryshuar më së shumti për keq në renditjen e vlerave të lojtarëve të Kombëtares. Në treg, mbrojtësi i Napolit kap vlerën 16 milionë euro dhe kjo gjë ka ardhur për shkak se ai ka humbur rolin e protagonizmit në ekipin italian. Nën drejtimin e Maurizio Sarrit, Hysaj ishte futbollisti më i kushtueshëm i kuqezinjve, pasi vlente 25 milionë euro.

Rënie kanë pësuar edhe futbollistë si Ramadani, Veseli, Manaj, Kamberi dhe Odise Roshi. Shumë prej tyre kanë mbajtur të njëjtat vlera.

Në total, ekipi kuqezi e ka rritur vlerën e tij në treg, duke shkuar afro 85 milionë euro. Bëhet fjalë vetëm për futbollistët që kanë qenë të grumbulluar në listën e fundit nga trajneri Edi Reja për ndeshjet eliminatore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button