KOLONIZIMI INTERN

“Kërcënimi më i madh ndaj lirisë është mungesa e kriticizmit.”

Soyinka

Dimri është koha kur më tepër sesa stinët tjera shikojmë TV. Dhe kah fundi i muajit të kaluar duke bredhur nëpër shifrat tanimë marramendëse të kanaleve na ra në sy një debat në Al Jazeera English, “Studio B: Unscripted”, mes novelistes turke Elif Shafak dhe shkrimtarit, aktvistit politik dhe nobelistit afrikan nga Nigeria, shkrimtarit me staturë globale Wole Soyinka (1934), ku trajtoheshin tema si nacionalizmi, hapësirat e sigurta, roli i rrëfimtarëve në epokën moderne e të tjera. Soyinka njihet edhe si dramaturg dhe poet, si një luftëtar i përkushtuar për pavarësinë e Nigerisë nga Britania, kritikues i rreptë i sistemeve diktatoriale, zë i guximshëm i të drejtave të njeriut, demokracisë dhe liria. Soyinka njihet edhe për segmentin akademik, si profesor universitar i letërsisë komparative. Ka ligjëruar në vendin e lindjes, në Harvard, Yale, Kembrixh etj. Gjatë pranimit të Çmimit Nobel më 1986 fjalimin e vet ia dedikoi luftëtarit më të madh kundër aparteidit, Nelson Mandelës, ku apostrofoi antihumanizmin e politikave të segregacioni racist. Në vitin 2017 u shpall fitues i çmimit “Europe Theater Prize” si njeri që kontribuon në realizmin e ngjarjeve kulturore që promovojnë shkëmbim dijesh mes popujve.  Është autor i Një valle e pyjeve (1960), Vdekja dhe kalorësi i Mbretit (1975), Dokumenti i identitetit (1992), Imperializmi i ri (2009), Përtej estetikës (2019) etj.

“Është të qenët njeri ajo na bashkon të gjithëve” – tha nigeriani që vjen nga një “demokraci e plagosur” (wounded democracy), term që për herë të parë e dëgjoja nga goja e bashkëbisedueses. “Asnjë rrëfimtar nuk është vetëm rrëfimtar, ai është edhe historian, psikolog, filozof, është ndërtues, person kreativ”. Ne, afrikanët, jemi perceptuar si “njerëzim i klasit të dytë” (second class humanity), dhe duhet t’i kalojmë këto pozicionime të gabuara që janë imponuar nga faktorët e jashtëm. Dhe më pas erdhën kolonizuesit e brendshëm. Intelektuali duhet të tentojë rishkrimin e historisë. Soyinka vetë e ka luftuar këtë dukuri, kolonializimin e brendshëm: mes 1967-1969 ka vuajtur dy vite burg; kishte shkruar poezi proteste nga letra e toaletit nga qelia e tij. Më 1997 është gjykuar në mungesë me dënim vdekje nga presidenti Abacha për shkak të thirrjes së qytetarëve të mos paguajnë taksat sepse paratë do shfrytëzoheshin për qëllime militare. The New York Times ka shkruar se “nëse demokracia afrikane ka një zë dhe shpirt, ato i përkasin Wole Soyinkas.” Ai i kundërshton regjimet nigeriane, e kritikon pozitën në të cilën është  prurë popullit nga diktaturat militare, ndonëse preambula e Kushtetutës fillon me “Ne populli…” Në fakt, thotë ai, bëhet fjalë për diarki, qeveri e përbashkët e ushtrisë me komponente civile, me ose pa pajtimin e këtyre të fundit. (NYT, 2019)

Ka imagjinuar një kontinent vërtetësisht të dekonlonizuar, ku një kulturë autonome afrikane i absorbon vetëm elementet progresive të historisë që janë të qëndrueshme me identitetin e vet autentik. Ka ideuar projektin e një evolucioni organik, si antipod i praktikave neokoloniale që Afrika e zezë i ka marrë nga imperializmi europian, si një proces i rigjallërimit bashkësinor të arritur në momentet e vetë-kuptimit kulturor. Ky evolucion është më i përshtatshëm me kulturën afrikane se sa teleologjitë globale si komunizmi marksist apo kapitalizmi nacionalist. (McPheron, 1998)

Ai ka ngritur zërin edhe kundër vendit që e pati strehuar, ku shte në ekzil, SHBA; hoqi dorë nga karta e gjelbër pas fitores së Trumpit në shenjë proteste ndaj një njeriu që sipas tij bën mure ndarëse, të cilat së pari ndërtohen në mendje. “Trump ka ngritur mure jo vetëm brenda peizazhit amerikan, por edhe të atij planetar.” Presidenti amerikan e ka bërë që në palcë të ndjejë një katastrofë.  (Sain, 2017) Shkollarët i quan rol modelë, njerëz që duhet të ndërmarrin masa për ndryshime. “Nëse nuk ndërmerrni atë që duhet, përfundoni se qeni qenie njerëzore.” Ai ka kundërshtuar ksenofobinë, fushatën për dëbim nga atdheu i tij i ganezëve që zhvillohej nën parullën “Ghana must go!” Ka deklaruar se me atë akt është ndjerë i dhunuar sepse bëhej padrejtësi edhe në emrin e tij.

Soyinka është kundërshtues i nacionalizmit, preferon vlerat universale, gjithënjerëzore. Ndonëse thekson trashëgiminë e tij nga Yoruba, mantra e tij që duket se ka ngjyrime globaliste, neoliberale është “Le të vdesin kombet, që të jetojë njerëzimi” (Let nations die that humanity may survive!) Ekzistenca e Yorubas sipas tij ka tre faza: bota e paraardhësve, bpta atyre që janë gjallë dhe bota e ende të palindurve. Pra, ka një vizion që ka parasysh ardhmërinë, thelbin, etikën globale. Çmon kulturën, e cila, mund të ndriçojë, të çlirojë, të zbavisë dhe të ruajë, por edhe të kufizojë. Librat dhe të gjitha format e shkrimit i cilëson si “terror” ndaj atyre që duan ta ndrydhin të vërtetën. “Letërsia mund të mprehë vetëdijen. Mund ta shfrytëzoni letërsinë për t’i bërë qeveritë më të ndërgjegjshme për përgjegjësitë e tyre ndaj qytetarëve të tyre.” (DW, 2015)

Ndjekja e fjalëve të kuptimta të bashkëbiseduesve në “Studio B“ në një epokë të gjuhës toksike ishte një leksion i shkëlqyeshëm, ku thuajse çdo sekuencë kishte porosi të thellë. Vetë shprehja dhe titulli i këtij shkrimi kolonizim intern mund të ndërlidhet edhe me realitetin shqiptar. U bënë reth 30 vite që shpëtuam nga ideologjia komuniste me elemente ruse, kineze, jugosllave, nga okupimi i jashtëm, nga imperializmi sllav, dhe ramë në rrjetën e kolonistëve tanë “demokratë” që po e eksploatojnë popullin me njëmijë e një mënyra. U bëmë robër të partive politike, të partitokracive tona  që zbatojnë politikan destruktive, që njohin vetëm interesa klanore,  që korrupsionin e kanë bërë “ligj të natyrshëm të pushtetit”, që kanë shkelur të gjitha vlerat, që kanë marrë nëpër këmbë dinjitetin e popullit, që për dështimet e veta që s’kanë të numëruar i fajësojnë gjithë të tjerët, kontekstin, analistët, opinionistët, madje edhe popullin. Andaj, dekolonizimi nga kolonizatorët tanë të brendshëm është kusht për të ndërtuar të tashmen dhe ardhmërinë tonë dhe – siç do të shprehej Soyinka – atë të të palindurve, të atyre që ua u kemi obligim moral që të mos ua lëmë trashëgimi kolonistët e brendshëm. Sa më tepër të vetëdijësohemi aq më shpejt do të dekolonizohemi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button