Të gatshëm për ndërhyrje në veri

Policia e Kosovës ka vënë në gjendje gatishmërie njësitet e saj speciale për të ndërhyrë në rast të përkeqësimit të mëtejmë të situatës në veri të Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, i tha “Radios Evropa e Lirë” se pjesëtarët e njësisë speciale ROSU gjenden në Suhadoll, por se mund të aktivizohen në rast të nevojës. Ai megjithatë tha se për momentin situata është nën kontrollin e njësiteve lokale të policisë.

“Ende s’ka nevojë për angazhimin e këtyre njësive. Presim – në rast të tensionimit të mëtutjeshëm, kur kërkohet reagimi i këtyre njësive – të bëhet një gjë e tillë. Kjo mbetet në nivelin e rendit publik”, tha Hoti.

Përfaqësuesit e lagjes “Kroi i Vitakut” në veri të Mitrovicës, ndërkaq, e cilësuan të rëndë situatën aktuale, duke thënë se disa serbë të asaj pjese në mënyrë të mobilizuar kanë bllokuar në mëngjesin e së enjtes punimet në rindërtimin dhe ndërtimin e një pjese të shtëpive në këtë lagje.

Përfaqësuesi i banorëve të kësaj lagjeje, Njazi Ismaili, tha se serbët kanë bllokuar disa rrugë duke pamundësuar arritjen e punëtorëve te shtëpitë përkatëse.

“Serbët kanë bllokuar në të gjitha anët – pikërisht aty ku ka filluar të punohet në ndërtimin e shtëpive”, tha Ismaili, për të shtuar se vetëm në disa pjesë mund të vazhdojnë punimet në ndërtimin e gjithsej tetë shtëpive të reja.

Ndërkaq, Hoti shtoi se në bashkëpunim me KFOR-in dhe EULEX-in, janë duke u shqyrtuar mundësitë për zgjidhjen e problemit.

Misioni i NATO-s, si përgjegjës i parë për sigurinë në veri, e cilësoi të qetë situatën aktuale atje. Zëdhënësi i KFOR-it, Uwe Nowitzki, tha se janë shtuar patrullat e ushtarëve të misionit në atë pjesë.

“Mund të them se kemi patrulla shtesë atje. Po, kjo është e vërtetë”, theksoi Nowitzki.

Ditë më parë, te “Kroi i Vitakut” ndodhi një shpërthim pa pasoja në njerëz. Incidenti, megjithatë, shkaktoi tensione te banorët e asaj pjese.

Serbët kundërshtojnë rindërtimin e shtëpive të dëmtuara gjatë luftës, sikurse të atyre që janë në ndërtim e sipër.

Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se “Qeveria e Kosovës mbështet fuqishëm ndërtimin e shtëpive në pronat e tyre për qytetarët në veri, pa dallime etnike”. Ai theksoi se “Qeveria e Kosovës do të jetë pranë qytetarëve aty që të mos ketë asnjë pengesë prej kujtdo qoftë”, duke theksuar se misioni i Kombeve të Bashkuara në vend “nuk ka të drejtë as morale, as legale, as legjitime të pengojë apo të pretendojë të pengojë ndërtimin e shtëpive dhe rikthimin e qytetarëve në shtëpitë dhe pronat e tyre”.

Veriu i Kosovës vazhdon të mbetet vatër tensionesh për shkak të kundërshtimit të autoritetit shtetëror nga serbët lokalë. Ditëve të fundit, janë shënuar një varg incidentesh në atë pjesë të vendit. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button