SIZIFI KOLEKTIV

Rilindësit tonë me sakrifica të mëdha dhe me vetëmohim e krijuan shtetin shqiptar. Por problemi nuk u zgjidh, sepse ne mbetëm të ndarë e të shpërndarë në një copë shtet të cilin nuk e lanë kurrë ta rrumbullakojë e ta përfundojë shtetësinë, kurse të tjerët i lanë nëpër kralevina e knezhevina. Disa u përzunë në Turqi, si dikur moti arbëreshët në Itali, të tjerët u detyruan të greqizohen a të sllavizohen, për fat të keq në vatrat e tyre stërgjyshore. Kështu fuqitë e mëdha na lëshuan në pasiguri, në greminë, në errësirë e në një vetmi polare. Që të përpëlitemi brenda gjithmonë. Na bënë një Sizif kolektiv.

Në këtë vetmi kolektive njerëzit e kësaj ane mundohen ta shpëtojnë kokën duke e ulur qafën, duke u përkulur, të dalin nga gremina në dritën që premtohet se do të bjerë mbi vendin tonë të plagosur, ku tash  bien rrezet e diellit me dhëmbë, por njerëzve të mirë nuk u shkon ndërmend se atje lart, në dalje të greminës i pret seleksionuesi ligjor, i cili me një goditje “ligjore” i kthen sërish në pafundësi. Në këso situate shumica e të rinjve shpesh tjetërsohen, tëhuajsohen e zvetënohen dhe për të dalë nga poshtnimi e kërkojnë shtegun jashtë sinorit të tyre. Në perëndim. Pa marrë parasysh se atje është PAKTHIMI.

Hallet e këtij populli, të popullit shqiptar nuk e rëndojnë të riun vetëm këtu, po gjithandej, telashet nuk kanë të sosur. Në Kosovë po “këndohet kënga” e “kombit kosovar” dhe këngë të tjera të ngjashme e vazhdon ta ketë fjalën politika folklorike. “Heroizma” të politikanëve ka sa të duash, punë nuk për ilaç.

Në Shqipëri ende nuk u hiqet varfëria qafet, por, ajo që është po aq e ligë, është puna se  kurrsesi të kthehet vetëdija e fuqishme kombëtare që e ngritën me sakrifica të mëdha rilindësit tonë. Atje mbretëron kosmopolitizmi dhe internacionalizmi. Shikoni vetëm emrat që vazhdojnë t’u vihen fëmijëve, shikoni si i pagëzojnë: Kristjan, Krisafi, Elpiniki, Fredi, Sotilda, Sonilda, Sonja, Liljana, Vlado, Stalin, Lenin, Ebubekër Albusan, Erdogan, Elmedina, Elmeka… Kam dëgjuar të ketë edhe emër njeriu – Plenium, Procesverbal e kështu me radhë. Pa shikoni njëherë emrat e televizioneve më të fuqishme: Top chanel, Vizion plus! e ku ta di unë se çfarë ukubetesh të tjera…  Emra shqip të televizioneve vështirë se mund të gjesh.

Të tilla janë edhe emrat e rrugëve, të shesheve, të institucioneve kulturore e të shkollave në Maqedoni. Emra serbësh, kroatësh a të personaliteteve të lëvizjes komuniste botërore gjen sa të duash në Shkup e Tetovë. Emra shqip – rrallë. Shumë rrallë. Për vaj.

Dhe, e gjithë kjo flet për faktin se sa tmerrshëm i ka lëkundur themelet e identitetit Enveri! Sa shumë na ka luhatur njëherë komunizmi dhe tash ndikimet tjera që hyjnë në dyert e shumta që i ka hapur globalizmi. Kurse faktori politik shqiptar qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, qoftë këtu kurrsesi ta bëjë punën e vet organizative për ndryshimin e programeve arsimore që të kthehet dashuria ndaj atdheut, ndaj popullit e ndaj gjuhës amtare

Edhe sot e gjithë ditën mund të dëgjosh arsimtarë të moçëm që u bërtasin nxënësve e studentëve të vet: “Ikni nga Shqipëria”! “Ikni nga ky vend”! “Ikni, ikni! Për fat të keq dëgjohet zëri i klerikëve të ndryshëm diplomat e të cilëve janë pa nostrifikuar fare dhe askush nuk e di se prej kah vijnë dhe me çfarë ideologjish janë të mbathur. Nuk i dimë as misionarëtt e shumtë që veprojnë “me qëllime humaniste”, qofshin ata nga lindja a nga perëndimi. I shohim vetëm pasojat nga gremina e Sizifit dhe e dëgjojmë heshtjen shurdhuese nga oborret e shkreta të shkollave që dikur ishin plot fëmijë.

Askush, nga autoritetet nuk u dëgjua të thotë: “Rrini këtu”! E çmojnë ata lirinë e qarkullimit. Por jo të veten. Lirinë e qarkullimit të të tjerëve…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button