SOCIOLOGJI FESTASH (I)

Nëntori është muaji i festave, i asaj të alfabetit, i Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë. Urime. I gëzofshim! Është muaji i çasteve të veçanta, kur shkëputemi nga koha ordinere, nga rrjedha e përditshmërisë, kur shfaqim emocione të veçanta. Në fakt, festat janë ditë specifike, kulturë e veçantë brenda një kulture. Janë formë e transcendimit, e kalimit në një klimë, atmosferë, ndjesi tjetërfare, më shpresëtare, janë “instrument i shpëtimit nga rutina dhe problemet e jetës; janë kujtim i një ngjarjeje apo ngjarjesh që e kanë ndërtuar një bashkësi, një shoqëri, (ri)përjetim i datave që i kemi regjistruar në kujtesën tonë kolektive. Janë çaste të erupsionit, zbrazjes dhe kohezionit. Ditët e kremteve janë momentumi që imagjinojmë të ketë kuptimësuar identitetin tonë, janë copë kohe e ekzaltimit me përkatësinë.  Janë tharmi i bukës tonë që na ushqen në hapërimin në historinë e të tria dimensioneve: e djeshmja, e sotmja dhe e ardhmja. Janë çaste kur ne udhëtojmë në kohë dhe iu bashkohemi brezave pararendës që kanë sakrifikuar për ne dhe kauzën, dhe kur betohemi se do të jemi gardianë të asaj kauze sa të ketë jetë.

Sociologjia është shkencë që fokuson refleksionet sociale apo shoqërore, mes tjerash edhe ritet apo ritualet civile siç dë mund t’i kishim quajtur ndryshe festat si trans kolektiv. Një nga etërit e kësaj disipline Emile Durkheim festave iu ka ndarë vend qendror, por pas luftës së Dytë Botërore, kur sociologjia kalon përtej Atllantikut (në SHBA), ky term dhe fenomen humbi peshën e vet në këtë disiplinë (nuk gjeti vend as në Enciklopedinë Ndërkombëtare të Shkencave Shoqërore, 1968 e as në American Sociological Review dhe American Journal of Sociology, 1975-1995), për t’u rikthyer sërish kah fundi shekullit të kaluar në shkencën europiane si sociology of celebration (sociologji e kremtimit), duke gjetur vend me peshë në agjendën kërkimore të Asociacionit Europian të Sociologjisë.

Durkheim në veprën e tij Format elementare të jetës fetare ritualet festive i ka parë si ngjitëse sociale që i mban tok njerëzit; ato krijojnë dhe forcojnë ndjenjën e përbashkësisë, integrojnë. Ato iu mundësojnë njerëzve që të punojnë më pak ose fare, të mos shkojnë në shkollë, të harxhojnë kohën me familjen e tyre. Të gëzohen, të pushojnë të kremtojnë, të konsumojnë (nganjëherë marramendësisht) së bashku. Ato na mundësojnë të ndjehemi pjesë e diçkaje më të madhe, e një grupi më të gjerë, me të cilin bëhemi tok. “Kremtimi i festave na përkujon se jemi pjesë e një grupi që ndan me ne besimet, bindjet e njëjta.” (Janning, 2018) Diana Kendall në veprën Framing Class (Klasa kornizuese) thotë se gjatë festave mediat më tepër se në çastet kohore të tjera tentojnë që t’i kushtojnë rëndësi klasës së qytetarëve më pak të fatshëm, më të dobët. Ato në dukje, na barazojnë të gjithëve, na bëjnë të njëjtë, identikë qoftë edhe për një orë ose ditë. Festat në fakt mund të shfrytëzohen nga klasa sunduese ose nga pushtetarët për ta vënë popullin në gjumë, për t’i ofruar satisfaksion mashtrues dhe për ta bërë atë t’i harrojë kërkesat e veta. I tillë ka qenë rasti i mbretit portugez Salazar (1889-1970), i cili ka pohuar se vendin e ka qeverisur në saje të tri F-ve, “fado (muzika), fiesta (argëtimi), futebol (futboll)”. Në këtë rast me temën tonë ndërlidhen të tre fjalët, por në veçanti e dyta që përfshin festat dhe festivalet. Disa në këtë kontekst F-në e mesme e zëvendësojnë edhe me Fátima (feja popullore) dhe Femina (femra). Thuhet se edhe Franco pushtetin e ka mbajtur përmes këtyre 3 F-ve. (vijon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button