NJË POEZI ÇEKE PËR GOSTIVARIN…

Janë disa autorë çekë që kanë shkruar për shqiptarët. Qiro Truhelka (1865 – 1942), me origjinë kroate dhe çeke, ka shkruar me simpati për shqiptarët dhe kulturën e tyre. Ai ka lënë dorëshkrime të vlefshme për gjuhën dhe kulturën shqiptare, veçanërisht shënimet e shumta nga Pollogu, që me ndihmën e tetovarit Rashid Bexhet Gjoka i kishte mbledhur rreth vitit 1889.

Shkrimtari, gazetari dhe veprimtari politik çek, Prokop Hoholoushek (1819—1864), që vlerësohet si “romansieri i parë çek” apo si “Ualter Skoti çek”, në vitin 1864 e botoi tregimin “Ilia”, ku ngjarjet zhvillohen në Tetovë. Tregimi romantik flet për jetën e vështirë të njerëzve dhe për dhunën e anarkinë që mbizotëronte në qytet. Në këtë tregim shqiptarët dhe turqit paraqiten si robërues, që vendosnin për jetën dhe pronën e të robëruarve. Ky tregim, artistikisht i dobët, është plot me paragjykime dhe teprime për shqiptarët.

Stanislav Kostka Neumann (Pragë, 1875 – 1947) është një tjetër shkrimtar, poet dhe gazetar çek, i cili ka shkruar me simpati për shqiptarët. Ai, në fillimshekullin XX, qëndroi në Elbasan, Gostivar, Pogradec dhe Ohër, ku krijoi disa poezi, që i ka përfshirë në përmbledhjen “Tridhjetë këngë mbi shpërbërjen” (1918).

Gjatë qëndrimit në Gostivar qe mahnitur nga kafenetë tradicionale dhe nga koloriti kulturor. Në poezinë “Gostivari” ndjehet edhe trishtimi i poetit, i gjendur larg të dashurës së tij.

Për përkthimin e kësaj poezie e falënderojmë Rufije dhe Shyrete Elezin, që me sugjerimin e profesoreshës Esmije Veseli, shprehën gatishmërinë që ta sjellin në gjuhën shqipe. Poezinë “Gostivari” (1917) e japim më poshtë:

 “Kafene në Maqedoni
Nën verandën e hapur,
mbuluar me shelgje të çarë
në tavolinën hijeverdhë,
ha akullore
dhe thith ajrin nga filxhani i kafesë.
Ditë e fundmajit
dhe ag i mrekullueshëm
kotas më godet trishtimi me majën e gishtave të butë.

Myslimanë.
Luftëtarë bullgarë.
Vajza flokëlyera,
duarlyera,
do të doja që t’i vënë mbi mjekër
duart topolake, ngjyrë rubini.
Por dhe kjo bukuri më duket boshe.

Fjalët e këndshme prej minares së bardhë
Më nguliten në mendje.
Gomarët me shalë
më sjellin lajme miqësore
unë pa dashur
pranoj gjithçka
si dhurata për lypësin
që dorën hap
dhe pranon paratë
e pa i parë
i fut nëpër xhepa
për t’i numëruar më vonë”.

Neumann-i ka botuar edhe librat: “Elbasani, kujtimet e luftës“ (1922) dhe “Bragozhda dhe kujtime të tjera luftarake” (1928), ku përshkruan kujtimet e tij për Elbasanin.

Neumann-i, nëpërmjet veprës së tij, siç thotë studiuesit çek Premysl Vinsh, e shpreh dashurinë e tij ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.

“Duke gjetur frymëzim në ambientin shqiptar, ai shkroi edhe një përrallë të vetën që quhet “Përralla për minaren që doli në shëtitje dhe për ushtarin që kishte uri”, shkruan Vinsh.

Stanislav Kostka Neumann kishte krijuar edhe disa akuarele me motive nga Elbasani.

Krijimtaria e Neumann-it njeh disa faza krijuese: ishte simbolist (Dishepulli i jetës së re), anarkist (Ëndërrimtari për njerëzit e dëshpëruar), krijues lirikash të peizazhit, kurse më pas shprehu prirje komuniste (Këngët e kuqe).

Në fillim kishte bindje socialdemokrate, ndërkaq më vonë u bë njëri prej themeluesve të Partisë Komuniste të Çekosllovakisë. Njihet edhe si mentor i poetit të njohur çek Jaroslav Seifertit, i cili e fitoi çmimin Nobel për Letërsi në vitin 1984.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button