Sfida e Kosovës për “Euro 2020”

Kombëtarja e futbollit të Kosovës do të ndeshet me atë të Çekisë për kualifikim në kampionatin evropian të futbollit “Euro 2020”. Kjo e fundit do të jetë nikoqire e Kosovës, më 14 nëntor dhe ndeshja do të zhvillohet në qytetin çek Plzen, njofton REL.

Ky takim konsiderohet vendimtar për të dyja kombëtaret për pjesëmarrje në“Euro 2020”. Në prag të takimit, pritjet në Kosovë janë të mëdha se kombëtarja e tyre do të fitojë këtë sfidë, gjë që do t’ia mundësonte asaj kualifikimin për në “Euro 2020”.

Ndonëse ombëtarja e Kosovës do t’i qaset sfidës me Çekinë me mungesa të caktuara në formacionin e saj, shumica e dashamirëve të futbollit në Kosovë, janë optimistë për fitoren e kombëtares së tyre. Por, edhe një disfatë eventuale, siç thonë ata, nuk do të sillte zhgënjim ndaj futbollistëve, të cilët e përfaqësojnë Kosovën në takimin me Çekinë.

Merita Spahia, studente, thotë që pavarësisht sfidës me Çekinë, futbollistët e kombëtares së Kosovës tashmë i kanë bërë krenarë qytetarët e Kosovës me paraqitjet e tyre.

“Shpresoj që do të shkojnë dhe do të na bëjnë edhe më shumë krenarë, siç na kanë bërë deri më sot dhe u uroj shumë suksese. Nuk është me rëndësi fitorja. E rëndësishme është që të paraqiten sa më mirë, të kënaqemi me atë lojë dhe jo vetëm rezultati. Normalisht që e mirëpresim edhe rezultatin e mirë, si gjithmonë”, ka thënë Spahia.

Xhabir Leci, qytetar nga Prishtina, thotë se rezultati i favorshëm për Kosovën në sfidën me Çekinë është mjaft i dëshirueshëm. Por, sipas tij, në cilindo rast, tifozët e kombëtares së Kosovës nuk duhet të zhgënjehen me futbollistët që i përfaqësojnë.

“Së pari duhet ta falendërojmë trajnerin (e kombëtares së Kosovës në futboll, Bernard) Challandes, i cili kur e ka marrë përfaqësuesen e Kosovës, duhet ta paramendojmë që ne kemi qenë 20 vjet në izolim. E kemi arritur atë që nuk e kemi paramenduar se do ta arrijmë edhe 10 vjet. Nëse është fati në anën tonë dhe djemtë tanë e japin maksimumin, shpresoj dhe mendoj që me emër të Zotit, do ta arrijmë suksesin. Por edhe humbja është pjesë e jetës”, u shpreh Leci.

Në prag të ndeshjes me Çekinë, trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, ka thënë që Kosova që të përzgjedhurit e tij do t’i përmbahen filozofisë së bërjes lojë të mirë dhe nuk duhet t’i nënshtrohen presionit që me çdo kusht ta arrijnë fitoren.

“Ne gjithmonë flasim për rezultatin, unë flas për lojën tonë. Unë asnjëherë nuk kam folur për rezultat. Rezultatet vijnë nëse ne luajmë mirë. Dhe tani ne do të luajmë përsëri kundër Republikës Çeke, e cila ka një ekip shumë e fort, ne duhet të bëjmë një performancë shumë të mirë”, ka thënë Challandes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button