Komuna e Tetovës pret që Banka Botërore t’i ndihmojë për t’i mbuluar gropat në një rrugë 240 metrash
Rruga “Jane Sandanski”, që të lidh me Spitalin, qendrën si dhe Komunën e Tetovës është me dhjetëra gropa, asfalt të dëmtuar si dhe vetura të parkuara duke pamundësuar funksionimin normal të saj. Komuna e Tetovës, thotë se kanë aplikuar në Bankën Botërore dhe presin përgjigje, nëse jo, thonë se do të ndajnë para për vitin 2020, raporton Portalb.mk.
Tetova disa vite tani përballet me problemin e gropave të shumta të cilat vështirësojnë kalimin e lirshëm të veturave. Qytetarët shpesh here janë ankuar se si pasojë e këtyre gropave i kanë dëmtuar veturat, gjë e cila ju ka kushtuar atyre mjete financiare.
“Jane Sandanski” është një ndër rrugët kryesore në qytet që ka gjatësi rreth 240 metra. Ajo lidh dy pjesët më të frekuentuara të Tetovës me Spitalin e Qytetit si dhe është vetëm një minutë afër Komunës së Tetovës.
Në qoftë se një qytetar do të duhej të shkonte me urgjencë në Spitalin Klinik të Tetovës, ai do të duhej të përballet me dhjetëra gropa të cilat bëjnë kolona të gjata, asfalt të dëmtuar si dhe vetura të parkuara nga të dyja anët.
- LEXO: Krateri i Tetovës!
Gazetari i Portalb.mk sot fotografoi këtë rrugë dhe u nis për në Komunën e Tetovës të kërkoje përgjigje për atë se a planifikojnë ta rregullojnë të njëjtën, ato na thanë se për këtë rrugë kanë aplikuar në Bankën Botërore dhe presin përgjigje.
“Kemi aplikuar në bankën botërore për këtë rrugë, që lidhet me Spitalin e Tetovës dhe vazhdon për në JNA. Në qoftë se e njëjta nuk do të miratohet do e buxhetojmë vetë në planin e vitit 2020 për ndërtim”, theksuan nga Komuna e Tetovës.
VIDEO e përgatitur nga Portalb.mk:
Portalb.mk, për të njëjtën rrugë ka alarmuar para dy javëve, por e njëjta s’është rregulluar.