Kjo Dashuri

Kjo dashuri kaq e vrullshme,
Kaq e brishtë,
Kaq e dhembshur,
Kaq e dëshpëruar.
Kjo dashuri
E bukur si drita
Dhe e keqe si moti.
Kur moti është i lig.
Kjo dashuri kaq e vërtetë,
Kjo dashuri kaq e bukur,
Kaq fatlume,
Kaq e hareshme,
Dhe kaq mendjelehte
Qe dridhet frike si fëmija ne terr.
Dhe kaq e sigurtë në vetvete,
Si njeriu çakërrqejf ne mes te natës.
Kjo dashuri që frikësonte mjaft njerëz,
E i bënte të merreshin me llafe,
Të shtrembëronin fytyrën.
Kjo dashuri e përgjëruar,
Nga që nuk ia ndamë sytë.

Dashuri e ndjekur, e plagosur, e sosur, e mohuar e harruar,
Nga që e ndoqëm, e plagosëm, e sosëm, e mohuam, e harruam …
Kjo dashuri e thellë,
E gjallë dhe e pavdekur,
Plot diell …
Dashuria jote.
Dashuria ime.
Dashuria që patëm
Që s’u vjetrua kurrë.
Që s’ka ndryshuar fare.
E që është po aq e vërtetë si një pemë,
Po aq drithëruese si një shpend,
Po aq e ngrohtë e plot gjallëri si vera.

Ne të dy mund të shkojmë
E të vijmë ku qemë.
Ne mund të harrojmë
E pastaj të flemë.
Të zgjohemi, të vuajmë, të plakemi
E të biem serish në gjumë.
Te ëndërrojmë vdekjen,
Të zgjohemi, të lozim, të qeshim
Si të rinj fringo ta ndejmë veten.
Se dashuria jone qëndron aty,
Kokëfortë si mushkë,
E pashuar si dëshira,
E pamëshirshme si kujtesa,
Marroqe si kujtesa,
E dhembshur si kujtimi,
E bukur si dita e brishte.

Si fëmijë ajo na vështron buzëqeshur
Dhe na flet duke heshtur …
E, unë e dëgjoj me drithërimë
Dhe thërras,
Thërras për ty,
Thërras për vete,
I përgjërohem
Për ty, për vete.
I gjunjëzohem
Për ty, për vete, për gjithë ata qe duhen
Dhe u deshën.
I thërras për ty, për vete e, për gjithë te tjerët
Që nuk i njoh dhe i them:
– Qëndro aty,
Aty ku je tani,
Aty ku ishe dikur.
Qëndro aty
Dhe mos lëviz kurrë,
mos u largo!…
Ne që u deshëm, të harruam!
Ti mos na harro, mos,
Veç ty kemi në ketë botë !
Mos lere të na ftohet shpirti,
Të bëhemi për njeri tjetrin të largët…
Kudo qofsh, kujtona
Na bëj sinjal që gjallë je …
E pas shumë vitesh,
Diku në një korije,
Aty në pyllnajën e kujtimeve,
Dilna si shtojzovalle
Dhe dorën zgjatna
E na shpëto …

Poezi nga Jacques Prevert

Lajme të ngjashme

Back to top button