Zaevi dha premtim pompoz: Ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë pritet të fillojë në dhjetor

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev sot ka dhënë premtim pompoz, se ndërtimi i pjesës së parë të autostradës Shkup – Bllacë pritet të fillojë në dhjetor, transmeton Portalb.mk.

“Nëse kalon gjithçka me rregull, në dhjetor pritet të fillojë ndërtimi i pjesës së parë të autostradës Shkup –Bllacë”, tha Zaevi.

Kjo është përpjekja e dytë e gjetjes së ndërmarrjes ndërtimore, pasi hera e parë dështoi ngaqë kishte çmim shumë të lartë, për siç tha sot Zaevi për 3 milionë euro. Thirrja vazhdon deri më 29 nëntor, ndërkaq deri tash janë paraqitur dy ndërmarrje.

“Nga drejtori i Rrugëve Shtetërore kemi marrë njoftimin se kemi dy kompani. Procedura ende vazhdon për aplikim. Ne kemi apeluar edhe te ndërmarrjet jashtë vendit dhe vendore që të aplikojnë, dhe besojmë që këtë herë tenderi do të realizohet me sukses”, tha Zaevi.

Pushteti në RMV ka më shumë se dy vjet që premton ndërtimin e kësaj autostrade, por ajo ende nuk ka filluar.

Rëndësia e ndërtimit të autostradës Shkup – Bllacë, është sepse ajo do të mundësojë lidhjen me autostradën “Arbër Xhaferi”, e cili lidhet me autostradën “Ibrahim Rrugova”, që bashkërisht mundësojnë lidhje rrugore të RMV-së me Shqipërinë dhe Malin e Zi.

Përndryshe, për autostradën Shkup – Bllacë u tha se në muajin shkurt duhet të hapet tenderi për fazën e parë, megjithatë ai u hap në korrik. Faza e parë do të fillojë nga kufiri Bllacë – Hani i Elezit dhe do të jetë e gjatë 2 kilometra. Punimet në terren për këtë fazë do të zgjatin 18 muaj.

Faza e dytë – Do të fillojë nga Bllaca deri në Shkup, do të jetë e gjatë 10.5 kilometra, ndërkaq projektimi pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2019. Tenderi do të hapet në fillim të vitit 2020. Do të ketë 4 tunele në gjatësi prej 4 kilometra, 8 ura dhe objekte të tjera. Do të jetë në dy drejtime, me nga dy korsi me gjatësi prej 3 metra, dhe një korsi për ndalesë me gjerësi prej 2.5 metra. Punimet për këtë fazë do të zgjatin 36 muaj.

Gjatësia e tërë autostradës do të jetë 12.5 kilometra, do të kushtojë 110 milionë euro, do të ketë 4 tunele, 8 ura, ndërkaq pritet të përfundojë për 54 muaj – 4.5 vjet. U paralajmërua edhe vendosja pikëpagesave rrugore.

Paralajmërimi për ndërtimin e autostradës Shkup – Bllacë në dy faza dhe në kohëzgjatje prej 54 muaj ka ngjallur reagime të shumta në opinion. Qytetarët në mënyrë ironike komentuan se me kazmë do ta ndërtonin më shpejtë, e kurse sipërmarrësit thonë se kjo do ta ulte fitimin dhe do të rriste shpenzimet e ndërmarrjeve që gravitojnë në zonën ekonomike të Vizbegut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button