Autostrada Shkup-Bllacë, është hapur tenderi për mbikëqyrje të punimeve ndërtuese

Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore” e ka hapur tenderin për mbikëqyrje të punëve ndërtimore të pjesës së parë të autostradës Shkup – Bllacë, pas së cilës do të vijojë hapja e tenderit për realizimin e punëve ndërtimore, transmeton Portalb.mk.

Autostrada Shkup – Bllacë

Thirrja është publikuar dje, më 4 mars, dhe përmban përshkrimin: “Mbikëqyrje të punimeve të autostradës A4, vendkalimi kufitar (VK) “Bllacë” – Shkup, nyja Stankovec, pjesa 1 – zgjerim i rrugës ekzistuese A4 nga V.K. “Bllacë” deri në fshatin Bllacë deri në nivelin e autostradës dhe ndërtimi i një pjese të autostradës me nyje për lidhje me rrugën lokale deri te fshati Bllacë”.

Vlera e tenderit arrin shumën prej 30 milionë denarë, ndërkaq si kriter paraqitet çmimi më i volitshëm.

Ndërmarrja aplikuese duhet të ketë licencë të tipit A për mbikëqyrje dhe ndërtim të objekteve të kategorisë së parë, të marrë nga institucioni kompetent, sipas Ligjit për ndërtim dhe duhet të ketë të hyra minimale vjetore në vlerë prej 20 milionë denarësh.

Afati i fundit për aplikim në tenderin për mbikëqyrje është 22 prill, ku me fillim prej ora 11 do të hapen edhe ofertat. Pas kësaj, në afat prej tre ditësh duhet të njoftohen operatorët aplikues për rezultatin – përzgjedhjen e ndërmarrjes me çmimin më të volitshëm, dhe të pakënaqurit kanë afat që brenda 8 ditësh të dorëzojnë ankesë.

Pas ndërmarrjes mbikëqyrëse, do të përzgjidhet ndërmarrja ndërtimore

Zoran Kitanov

Siç sqaroi për Portalb.mk drejtori Zoran Kitanov, pas këtij tenderi pritet të hapet edhe tenderi për realizim të punëve ndërtimore.

“Pasi të përzgjidhet operatori mbikëqyrës, do të hapet tenderi për punimet ndërtimore”, tha Kitanov.

Kitanov gjithashtu sqaroi se procesi zgjedhor nuk e pengon hapjen e tenderëve, pasi që të njëjtat janë paraparë me program, para se të shpallen zgjedhjet presidenciale.

“Fakti se jemi në proces zgjedhor nuk e pengon hapjen e tenderëve, sepse gjithçka që është paraparë me program, mund të rrjedhë normalisht. Mund të pengohet vetëm nëse ndryshohet programi gjatë procesit zgjedhor, dhe parashihet realizim i ndonjë investimi të ri”, tha për Portalb.mk, Kitanov.

Përndryshe, gjatë nisjes zyrtare të punimeve të autostradës Shkup – Bllacë u tha se në muajin shkurt duhet të hapet tenderi për fazën e parë. Do të fillojë nga kufiri Bllacë – Hani i Elezit dhe do të jetë e gjatë 2 kilometra. Punimet në terren për këtë fazë do të zgjatin 18 muaj.

Faza e dytë – Do të fillojë nga Bllaca deri në Shkup, do të jetë i gjatë 10.5 kilometra, ndërkaq projektimi pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2019. Tenderi do të hapet në fillim të vitit 2020. Do të ketë  4 tunele në gjatësi prej 4 kilometra, 8 ura dhe objekte të tjera. Do të jetë në dy drejtime, me nga dy korsi me gjatësi prej 3 metra, dhe një korsi për ndalesë me gjerësi prej 2.5 metra. Punimet për këtë fazë do të zgjatin 36 muaj.

Gjatësia e tërë autostradës do të jetë 12.5 kilometra, do të kushtojë 110 milionë euro, do të ketë 4 tunele, 8 ura, ndërkaq pritet të përfundojë për 54 muaj – 4.5 vjet. U paralajmërua edhe vendosja pikëpagesave rrugore.

Paralajmërimi për ndërtimin e autostradës Shkup – Bllacë në dy faza dhe në kohëzgjatje prej 54 muaj ka ngjallur reagime të shumta në opinion. Qytetarët në mënyrë ironike komentuan se me kazmë do ta ndërtonin më shpejtë, e kurse sipërmarrësit thonë se kjo do ta ulte fitimin dhe do të rriste shpenzimet e ndërmarrjeve që gravitojnë në zonën ekonomike të Vizbegut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button