Pse pas pesë vjetësh Pendarovski u bë person konsensual? BDI-ja në krizë morale politike

Rikandidimi i Stevo Pendarovskit për president të Maqedonisë së Veriut, dhe mbështetja e të njëjtit nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka ngjallur reagime të shumta në publik: “A u desh të kalojnë pesë vjet, që Pendarovski të jetë konsesual?” dhe “Çfarë ndryshoi te Pendarovski që u bë person konsesual për BDI-në?”, transmeton Portalb.mk.

Edhe pse të kontaktuar, nga Bashkimi Demokratik për Integrim nuk i sqaruan dilemat e tilla.

Gjatë vitit 2014-të, Stevo Pendarovski ishte kandidat për president të shtetit, si radhë e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, atëherë në opozitë. BDI-ja nuk e mbështeti Pendarovskin, dhe ftoi votuesit shqiptarë që t’i bojkotojnë zgjedhjet presidenciale. Në zgjedhje votoi presidenti në ikje, Gjorge Ivanov.

Çfarë ndryshoi te Stevo Pendarovski, që u desh të kalojnë pesë vjet që të bëhet konsesual për BDI-në?

Nevzat Bejta, BDI
Nevzat Bejta, BDI

Portalb.mk ka kontaktuar me krerët e Bashkimit Demokratik për Integrim për të kuptuar se çfarë ndryshoi te Stevo Pendarovski, i cili para 5 vjetësh nuk ishe konsesual sipas tyre, dhe realizuan fushatë për bojkotim, ndërkaq tash e mbështetin të njëjtin. Nga atje pa asnjë përgjigje konkrete.

“Do të kemi mundësi, do të ketë debate, do t’i sqarojmë të gjitha gjërat. Shumë shpejtë do të fillojë fushata, dhe BDI-ja do t’i sqarojë të gjitha. Është shumë herët të tregohen të gjitha se pse Pendarovski u bë i pranueshëm për BDI-në”, tha nënkryetari i BDI-së, Nevzat Bejta.

Teuta Arifi kryetare e Komunës së Tetovës (Foto: Arbnora Memeti)
Teuta Arifi. Foto: Arbnora Memeti

“Pas takimit që kishim, ditën e diel, partia i bëri qëndrimet e veta, dhe tha se është koncept më i kamotshëm, ideja e presidentit konsesual, dhe normal se kur ka marrëveshje, do të ketë sukses. Jo marrëveshje politike, por qëndrimi i 30 partive, përfshirë edhe të BDI-së, është të përkrahim një kandidat”, tha nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arifi.

Por, konkluzat e kësaj partie të dërguara në adresën e mediave, nuk përmbanin argumente PSE i njejti person i papranuar më parë, tani qenka i pranueshëm.

Sefer Selimi
Sefer Selimi


Mbështetja e Pendarovskit, sipas drejtorit të organizatës joqeveritare “Democracy Lab”, Sefer Selimi, “BDI-në e kanë futur në krizë morale me votuesit shqiptar”, ndërkaq sipas kolumnistit Robert Nesimi, ajo është “zgjidhje zori” e cila do të ketë efekte negative gjatë realizimit të fushatës “për Pendarovskin”.

Sefer Selimi përkrahjen e BDI-së ndaj Pendarovskit e sheh në formulën e ndryshimeve të rrethanave politike.

“Në demokraci rregullin e bëjnë numrat dhe me ndryshimin e rrethanave politike shpesh herë, në kuptimin figurativ, armiqtë mund të bëhen miq dhe e kundërta. Raste të tilla ka edhe nga e kaluara por edhe në konstolacionet aktuale politike në nivel lokal dhe qendror”, tha Selimi.

Robert Nesimi
Robert Nesimi

Kolumnisti Robert Nesimi mbështetjen e Pendarovskit nga BDI-ja e sheh si “zgjidhje zori”, sepse sipas tij, “BDI-ja ka pasur frikë që të dalë me kandidatin e vet dhe të përballet e vetme me opozitën shqiptare”.

Sipas Nesimit, janë dy arsye se pse BDI-ja do ta ketë të vështirë:
E para – BDI-ja as nuk ka argumente e as nuk do të mund ta bind votuesin shqiptar që ta votojë Pendarovskin, sepse duke e pasur një kandidat tjetër, më të përgatiturin nga të gjithë kandidatët tjerë, Blerim Rekën, si do ta bind votuesin shqiptar se duhet ta votojë Pendarovskin?, dhe
E dyta- Sepse bëhet fjalë për Pendarovskin, të cilin para pesë vjetësh e kanë sulmuar në të gjitha mënyrat, duke organizuar edhe fushatë bojkoti që të votojnë “për” Ivanovin.

BDI që nuk shfrytëzoi Badenterin kërkoi “vendimmarrje konsensuale”

“Ahmeti elaboroi mbi konceptin e konsensualitetit të cilin BDI e ka promovuar qysh në vitin 2014 me ç’rast theksoi që bartësit e legjitimitetit zgjedhor të të dy komuniteteve shumicë, në këtë rast BDI dhe LSDM, bashkë edhe me përfaqësuesit e komuniteteve tjera, dakordësohen mbi një kandidat të përbashkët për president të vendit”,  thuhet në konkluzat e ditës së dielë të kësaj partie.

Por, si në vitin 2014-të edhe tash BDI-ja “konsesualitetin” mund ta arrinte vetëm me votimin e Badenterit në Kuvendin e Maqedonisë, dhe as me fushatë bojkoti e marrëveshje të mundshme politike brenda koalicionit.

Shumica e dyfishtë, apo ndryshe e njohur si “Shumica e Badenterit” parashihet me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.

“Për ligjet të cilët drejtpërsëdrejti kanë të bëjnë me kulturën, përdorimin e gjuhëve, arsimin, dokumentet personale dhe përdorimin e simboleve, Kuvendi vendos me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm, me ç’rast medoemos duhet të ketë shumicë të votave nga deputetët e pranishëm të cilët u takojnë bashkësive që nuk janë shumicë në Republikën e Maqedonisë. Kontestin në lidhje me zbatimin e kësaj dispozite e zgjidh Komiteti për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.”-thuhet në Amandamentin e X të Kushtetutës.

Mosmbështetjen e Pendarovskit, në vitin 2014-të nga BDI-ja e arsyetuan me përpjekje “që do ta përparojë demokracinë duke bërë shqiptarët pjesë e vendimmarrjes”.

Përndryshe, 30 parti politike, pjesë e koalicionit qeverisës të premten e zgjodhën Stevo Pendarovskin si kandidat të përbashkët, të cilin e quajtën “kandidat konsesual”. Pendarovski do të garojë me kandidaten e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovskën dhe kandidatin e pavarur, Blerim Reka i cili mori mbështetjen e partive opozitare shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA. Siljanovska e ka zyrtarizuar kandidaturën edhe në Komisionin Shtetëror Zgjedhor, ndërkaq Reka vijon mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve.

Rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni do të mbahen më 21 prill, ndërkaq i dyti parashihet të jetë më 5 maj.

Nga zgjedhjet e para presidenciale në Maqedoni të Veriut deri më tani, në krye të shtetit qëndruan katër persona. Disa prej tyre u kandiduan si “të pavarur”, dy prej tyre u mbështetën nga VMRO-DPMNE-ja, ndërsa njëri nga LSDM-ja. Në garën për funksionin e kryetarit të shtetit, nga pavarësia deri tani ka pasur rreth 20 kandidatë. Shtatë prej tyre kanë qenë nga radhët e bllokut politik shqiptar.

LEXO: Analizë: “Baballarët e kombit” – të gjithë të kontestuar dhe partiakisht “të kontaminuar”!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button