BDI nuk sqaron si me anë të bojkotit do të arrihet presidenti konsenzual
Bashkimi Demokratik për Integrim duke quajtur veten ”forca më e madhe legjitime shqiptare”, kërkon nga votuesit e saj mos të votojnë asnjë president në zgjedhjet e 13 dhe 27 prillit.
Duke e pasur parasysh se vota është e lirë ndërsa procesi në një shoqëri demokratike duhet të jetë demokratik, Portalb pyeti zëdhënësin e kësaj partie, Bujar Osmani, nëse kërkesa e tyre vlen si jo-demokratike dhe një-partiake?
Ai tha se kërkesa e tillë nuk mund të quhet jo-demokratike por e kundërta “do ta përparojë demokracinë duke bërë shqiptarët pjesë e vendimmarrjes”.
“Pikërisht ky insistim yni për të qenë pjesë e vendimmarrjes, vlerësojmë se do të përparojë demokracinë, do të forcojë unitetin e do të baraspeshojë ekuilibrat etnikë, si dhe do të çojë vendin përpara, mes demokracive më të zhvilluara. Aty ku vendi ynë kërkon por dështon të jetë.” tha Osmani.
Duke përdorur retorikën e zakonshme partiake ai nuk sqaroi se si do të ndikojë bojkoti i një pjesë të shqiptarëve, që në të ardhmen presidenti të zgjidhet në Parlament dhe aq më shumë të jetë konsenzual?
“Kjo është e vetmja zgjidhje që përmbush detyrimet kushtetuese dhe ato të Marrëveshjes së Ohrit, për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të të gjitha bashkësive etnike. Në rastin e institucionit të presidentit, vetëm zgjedhja me konsensus të gjerë politik dhe etnik mund t’i japë atij karakter dhe përfaqësim shumetnik. Çdo mënyrë tjetër që përjashton shqiptarët nga ky proces, konsiderohet antidemokratike dhe antievropiane, e papranueshme dhe në konflikt të hapur me realitetet politike dhe etnike.” tha Osmani.
Mbetet e paqartë gjithashtu se pse nëse kërkesa për president konsenual është ‘kërkesë e kahershme e Bashkimit Demokratik për Integrim” atëherë pse në kaq vite sa është në pushtet kjo parti, tani hodhi këtë ide në treg ndërsa vite më parë doli përkrah Gjorgje Ivanovit?
“Bashkimi Demokratik për Integrim është i bindur se me PRESIDENTIN KONSESUAL Maqedonia do të shkojë drejt vlerave të gjithë pranueshme evropiane. Në shërbim të këtij qëllimi, është veçanërisht nevoja e menjëhershme dhe jo vetëm kërkesa e kahershme e Bashkimit Demokratik për Integrim, për zgjedhjen konsenzuale të presidentit.” tha sot Osmani.