Kryesia e Shkupit: Do të formojmë ligën shqiptare

Vetëm disa orë pas përfundimit të ndeshjes së balotazhit, që u luajt në Shtip në mes KF Shkupi dhe Tiveria, kryesia dhe trajnerët e KF Shkupit nuk kanë pritur kohë për të organizuar takim me gazetarët ku dhe shprehën përshtypjet e tyre, siç thana ata referimit skandaloz të gjyqtarit Markovski dhe delegimit kontraverz që ka bërë FFM. 

Kujtojmë se ekipi nga Shkupi të shtunën në ndeshjen e balotazhit ka pësuar disfatë nga Tiveria pas një penaltie të dyshimtë. Me këtë rast, drejtori sportiv Nexhat Shabani dhe trajnerët Visar Ganiu e Meriton Berisha u shprehën të tmerruar nga e gjithë kjo që ndodhi në këtë periudhë kohore, dhe duke u përqendruar në ndodhitë ndër vite se futboll në Maqedoni për ekipet shqiptare nuk ka. 

“Konferenca për shtyp ka për qëllim që të njoftojmë opinionin për ndeshjen në Shtip kundër Tiverijës, ndeshje që ishte me rëndësi për të dy ekipet. Ndeshja nisi mirë, por gjatë saj gjyqtari Markovski nuk ishte në nivel të detyrës. Situata kulmoi kur ai tregoi penallti për Tiverijën, e ku të gjithë ishin të mendimit se nuk kishte element për penallti të tillë. Mendojmë se ai kishte tendencë ose kishte ndonjë urdhër, ai e di më së miri prej kujt. Ai në pjesën e dytë mezi priste ndonjë ndërhyrje në zonën tonë dhe ajo u tregua. Pas penalltisë ishte vështirë të kthehemi në lojë, edhe pse tentuam, pati ndërprerje prej 7-8 minutave, koha shtesë ishte e shkurtuar. Penalltia u tregua si epilog i fundit”, deklaroi drejtori sportiv i KF Shkupi, Nexhat Shabani. 

“Për ne si klub është një situatë e vështirë, sepse kemi dhënë mund të madh gjatë tërë vitit, dhe erdhëm në situatë që një refer të vendos fatin e klubit. Tani s’e dimë nëse ia vlen të luash futboll në këtë shtet tonin. Ne dhe më herët kemi qenë të dëmtuar, por ky është kulmi. Unë kam qenë edhe trajner në Shkëndijë, unë punoj në klube shqiptare, sepse vetëm aty mund të punojmë ne, s’mund të punojmë në anën tjetër, edhe pse si lojtar kam luajtur edhe andej edhe këndej. Dhe, gjithmonë kam pasur probleme në rezultatet e mia, për shkak të referimit. Nëse kështu vazhdohet s’ka kuptim të garohet”, theksoi ai.

Ndërsa trajneri Visar Ganiu iu drejtua kryetarit të FFM-së, Ilço Gjorgjioski, se ai është fajtori kryesor për padrejtësitë që po i bëhen skuadrave shqiptare. 

“Fillimisht them se a kemi pasur nevojë për balotazh. Askund në botë nuk ka, që një ekip zë vendin e parë dhe për fatin e saj vendos balotazhi. Kjo është jashtë rregullave të UEFA-s, FIFA-s dhe FFM-së. Unë haptazi dëshiroj të pyes kryetarin e FFM-së, Ilço Gjorgjieski se me këso gjyqtarë dhe shantazhe a dëshiron të dëmtoj ekipet shqiptare? Ai qëllimin e arriti. E vendosi balotazhin për të mos pasur ekipe shqiptare në Ligën e Dytë”, tha Ganiu. 

“Por ia bëj me dije, se ne do të njoftojmë UEFA-n dhe FIFA-n, por dhe bllokun shqiptar do të ketë mbledhje. Nëse ka nevojë do t’i heqim të gjithë lojtarët e reprezentacionit dhe gjithë ekipet shqiptare do të formojmë ligë tonën paralele. Askush s’mund të na ndaloj të formojmë ligë paralele, ku do t’i tregojmë Ilços se si organizohet loja në mënyrë rregullore. Kjo çka ndodhi me Dritën, neve, dhe me ekipet tjera më herët referimi kurrë s’ka qenë më i dobët. Këto urdhra merren nga lartë dhe jo nga gjyqtarët. Kjo rrugë që është nisur mendoj se nuk do të jetë e gjatë që ekipet shqiptare të jenë pjesë e kësaj federate. Për ne do të jetë e domosdoshme të marrim një vendim tjetër. Është mëkat për futbollin e Maqedonisë se çka po ndodh. Thjeshtë Ilço Gjorgjioski po na i shkurton të gjitha të drejtat tona, duke na përjashtuar nga komisione të shumta. Njerëzit që janë të kyçur në futboll këtë e dinë, por është koha të mos bëhemi servil, por të punojmë për të mirën e futbollit tonë”, shprehet trajneri Visar Ganiu.

Lajme të ngjashme

Back to top button