Mbi shkrimtarinë në gjuhën e tjetrit

Krijimtaria letrare në gjuhën e tjetrit është e pranishme në gjithë letërsitë e botës. Atë e kanë kushtëzuar hegjemonitë gjuhësore e kulturore, ngulfatjet e kulturave dhe gjuhëve të “vogla”, zhvendosjet e dhunshme e masive të njerëzve apo lëvizjet e tyre të vullnetshme në kërkim të ekzistencës më të mirë, tendencat globalizuese dhe ndërkomunikimi i vazhdueshëm kulturor, përpjekja e krijuesve për gjetjen e gjuhëve më të përshtatshme për të komunikuar dhe për të konkuruar në tregjet e mëdha kulturore etj. Kjo ka sjellur tek mospërputhja e kufijve shtetërorë e etnikë me kufijtë gjuhësorë të letërsive, të njohur si fenomen qysh para dy mijë vitesh, kur shumë tekste të shkruara në latinishte, në sajë të përbërësve të tjerë etnikë, për të cilët asokohe mungonte vetëdija, frymonin më mirë me shpirtin e disa bashkësive të latinizuara se sa tekstet e shkruara në gjuhën popullore/ amtare të atyre bashkësive. Sigurisht që diçka e ngjashme ka ndodhur edhe në periudhën helenistike, kur gjuhë kulture dhe letërsie ishte greqishtja.

Fenomeni në fjalë është i pranishëm edhe në botën moderne, ndaj, në shumë kultura, përveç gjuhës si tipari kyç i letërsive nacionale, po futen vetvetishëm në skenë dhe elementë të tjerë, si: gjendjet shoqërore, psikologjike e estetike të popujve, vlerat antropologjike – ndjesitë, fryma, botëperceptimet…

S’do mend se kjo përligj të vërtetën e ekzistimit të më shumë letërsive të shkruara në një gjuhë të vetme, po aq sa dhe ekzistimin e letërsive nacionale të shkruara në më shumë gjuhë, përkatësisht në gjuhën e tjetrit, po për këtë s’po e zgjas më shumë, sepse kam shkruar disa herë në PortAlb.

*

Shkrimtaria shumëgjuhësore e ka shoqëruar, që anga fillet e saj, edhe letërsinë tonë, si puna e një kësmeti të pashmangshëm. Asaj i ka prirë plejada e krijuesve që shkruanin në gjuhën latine, në mesin e të cilëve u dalluan: autorët e veprave kushtuar luftërave të lavdishme të heroit tonë kombëtar Skëndërbeut – Marin Barleti e Marin Beçikemi; mendimtari, studiuesi, historiani i letërsisë dhe përkthyesi i klasikës greke Leonik Tomeu; poeti arbëresh Mikel Maruli, që bëri emër me vargjet me motivet e vendlindjes; shkrimtari e përkthyesi Maksim Artioti nga Arta, që zuri vend të rëndësishëm edhe në kulturën ruse dhe disa të tjerë që u takonin sferave që qëndrojnë pak më larg letërsisë.

I kësaj tradite është dhe dokumenti i parë i shqipes së shkruar – Formula e pagëzimit (1462) e autorit dygjuhësor Pal Engjëllit, i cili, sipas Ismail Kadaresë, në pamundësi të përdorimit të lirë të gjuhës amtare, u detyrua ta fshehë tekstin shqip brenda qarkores së shkruar në gjuhën latine. Më pas në letërsinë tonë bënë emër katër B-të e famshëm të saj: Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Pjetër Bogdani e Frang Bardhi, tre prej të cilëve qenë autorë dygjuhësorë që, krahas përkthimeve në shqip të teksteve biblike, sollën dhe dromcat e para të një letërsie origjinale, që u bë bazamenti mbi të cilën hodhi shtat krijimtaria e rilindasve, një pjesë e së cilës u shkruajt në dy e tri gjuhë, nga autorë si: poeti me renome evropiane – Jeronim de Rada e Zef Serembe (shqip e italisht), Sami Frashëri (shqip e turqisht), Naim Frashëri (shqip, greqisht e persisht), Pashko Vasa (shqip, italisht e frëngjisht), Fan Noli (shqip, anglisht e greqisht), Faik Konica (shqip, frëngjisht e anglisht), Esad Mekuli (shqip e serbo kroatisht), Ernest Koliqi, Martin Camaj e Arshi Pipa (shqip e Italisht), Isuf Luzaj (shqip, frëngjisht e anglisht) etj., etj.

Të gjithë këta bota kulturore shqiptare i pranoi pa asnjë kusht në gjirin e saj, gjë që sigurisht do të vazhdojë edhe në të ardhmen, si pjesë e një tradite të bukur letrare. Jo më kot poeti e studiuesi Agron Tufa flet për kontributin e pallogaritshëm të tyre në ngritjen e linjave komunikuese ndërkulturore dhe angazhohet për një trajtim special të letërsisë së migrimit: Ajo që duhet të ndryshojë, është ndjeshmëria jonë për ta: t’ua ofrojmë atë gjysmën e mollës që u mungon, pra t’i lexojmë e t’i përfshijmë sa më shumë në tekstet tona, botimet, studimet dhe antologjitë, ta ndjejmë edhe ne mungesën e tyre…

Ndjeshmëria për të cilën flet poeti Tufa, është e domosdoshme për të ruajtur letërsinë nga dëmtimet që mund t’ia shkaktojë injorimi i shkrimtarëve dygjuhësorë e shumëgjuhësorë, si puna e letrarëve të emigruar nga dhuna e sistemit stalinist: Ernest Koliqi, Martin Camaj, Arshi Pipa, Namik Resuli, Lin Delija…, apo të atyre që braktisën trojet shqiptare pas të nëntëdhjetave, si: Elvira Dones, Xhevdet Bajraj, Isuf Sherifi, Ron Kurbati, Mazllum Saneja, Ardian Kyçyku, Lindita Arapi, Ardian Vehbiu, Romeo Çollaku, Flurans Ilia, Faruk Myrtaj, Luan Canaj, Luan Topçiu, Nerimane Kamberi, Beqë Cufaj…, pa të cilët do ta ngushtonim hapësirën evropiane të letërsisë shqipe…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button