Strugë, më i mundshëm koalicioni i PDSH me ‘Për Strugën së Bashku’

Këshilli Komunal i Strugës ende nuk ka zgjedhur kryesuesin e vet. Kandidati i PDSH-së për këtë post, Avdulla Qazimoski, siç dihet nuk i mori votat e nevojshme për  t’u zgjedhur në këtë post, sepse për zgjedhjen e tij, votuan vetëm 9 këshilltarë, shtatë të PDSH-së dhe 2 të RDK-së. Ai nuk i mori pesë votat e BDI-së dhe 2 të PEI, të Fiat Canoskit, të cilët që në mbledhjen e parë të këshillit, shkëputën koalicionin me BDI-në.

Votat e nevojshme, ndërkaq nuk i mori as kandidatja e  bllokut maqedonas të partive politike, Juliana Zunoska, për të cilën votuan 11 këshilltarë të “Për Strugën së Bashku”, ku bëjnë pjesë këshilltarët e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE. BDI arsyetoi mosdhënien e votës për kandidatin Qazimoski, me siç deklaruan këshilltarët e sa, moszhvillimin e negociatave serioze dhe me qëndrimin në nivel  qëndror të  kësaj partie për këtë çështje.

Në këso kushtesh, Këshilli  Komunal i Strugës, ka mbetur ende pa kryetar, kurse kryetari i Komunës Ziadin Sela, nuk ka përjashtuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në qoftë se ngërçi politik nuk zgjidhet.

Ziadin Sela në një konferencë për shtyp të para disa ditëve ka theksuar se kësaj  situate i ka kontribuar paqartësia e BDI-së, në Strugë e cila të vetmen gjë që ka thënë është se do sillet ashtu siç do i urdhërojë me diktat Ali Ahmeti.
 
“Ne nuk do të pranojmë që të sillemi në një mënyrë tjetër, kur kushtëzohemi me ndarje në blloqe nacionale ,apo t’i kërkojmë Ali Ahmetit negociata për zgjidhjen e kryetarit të Këshillit komunal.Oferta jonë për BDI në këto kushte kur partitë maqedonase shfaqen në një bllok ka qenë ata të votojnë për kryetarin e Këshillit dhe të vazhdojnë në opozitë duke kontribuar për qytetarët e Strugës tashmë nga një prizëm tjetër’’, ka thënë Sela.

Ndërkaq, nga ana tjetër, BDI nëpërmjet kryetarit të Degës së Strugës ka theksuar se është në pritje të vendimit që do të marrë qendra e partisë për këtë çështje. Merko, nuk ka përjashtuar mundësinë e refuzimit të koalicionit me PDSH-në, votimin e kandidatit të PDSH-së për kryetar Këshilli apo edhe koalicionimin me PDSH-në.

Megjithatë, sipas asaj që mëson Portalb, koalicioni  më i mundshëm në nivel lokal, në Strugë është ai midis PDSH-së dhe “Për Strugën së bashku”. Kjo sepse, sipas asaj që na është deklaruar  jozyrtarisht, pas dështimit të zgjedhjes së kryesuesit të Këshillit, janë zhvilluar  disa takime midis kryetarit Sela, me përfaqësues të këtij koalicioni, ndërsa pothuajse është ndërprerë totalisht komunikimi me BDI-në.

Portalb, gjithashtu mëson se shkak për mosarritjen e koalicionit me bllokun politik maqedonas është “çmimi” i lartë që kanë vënë për këtë marrëveshje politike subjektet maqedonase dhe refuzimi kategorik i PDSH-së për ta paguar këtë çmim.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button