Statistikat thanë “është pamundur të realizohet Regjistrimi”, liderët me qëndrime të ndara
Enti Shtetëror i Statistikave (EShS) thotë se realizimi i Regjistrimit të Popullsisë në prill të 2020-s, është i pamundur, për shkak se nuk mundet paralelisht të zhvillohet edhe regjistrimi dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërkaq, liderët e partive politike kanë qëndrime të ndara, transmeton Portalb.mk.
Sipas EShS-së, Regjistrimi duhet të bëhet në muajin tetor të 2021, për siç thonë ata sepse nëse realizohet gjatë fushatës zgjedhore, mund të keqpërdoret. Ata gjithashtu nuk propozojnë që regjistrimi të realizohet në vitin 2021, sepse procedurat tashmë kanë filluar.
“Për shkak të rrezikut për keqpërdorim të regjistrimit në fushata zgjedhore, nuk është e mundur që ky operacion të fillojë më 1 prill të vitit 2020-të. Si institucion jemi të përgatitur, por më mirë do të ishte që ai të mbahet gjatë tetorit të 2020-s, sepse procesi zgjedhor mund të shtyhet deri në maj të 2020-s, kurse gjatë verës nuk mund të bëhet regjistrimi, për shkak të lëvizjes së qytetarëve. Që të shtyhet për në vitin 2021, është shumë, sepse ne tashmë kemi procedura të nisura, siç është tenderi për prokurim të 6 mijë laptopëve. Nëse vjen vendimi që të anulohet regjistrimit për në vitin 2021, atëherë edhe procedura për blerjen e laptopëve duhet të shfuqizohet”, thanë nga ESHS-ja.
Liderët të ndarë për realizimin e Regjistrimit në prill
Ndërkaq dje, liderët e partive politike pas takimit të liderëve ku u vendos që më 12 prill të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare, u shprehën të ndarë sa i takon asaj se a duhet ose jo Regjistrimi të realizohet paralelisht me zgjedhjet.
Kryeministri Zoran Zaev, tha se mbetet në qëndrimin fillestar dhe me atë që është paralajmëruar.
“Qëndrimi im është që në vitin 2020 të ketë regjistrim. Mund ta bëjmë pas zgjedhjeve, kurse nëse është i përgatitur Enti Shtetëror i Statistikave edhe para zgjedhjeve”, tha Zaevi.
Lideri i opozitares maqedonase, VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski tha se si parti kërkojnë që Regjistrimi të jetë operacion statistikor, dhe jo marrëveshje politike.
“Ne si parti kërkojmë që ai të jetë operacion statistikor, dhe jo marrëveshje politike dhe është pak si antiligjore të bëhet ajo në fund të dekadës. Nuk shoh sqarim logjik që në vitin e ardhshëm të kemi regjistrim. Mendoj se ajo është më mirë të jetë në fillin të dekadës së ardhshme, viti 2021, ashtu siç e bëjnë shtetet evropiane”, tha Mickoski.
Për liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti me rëndësi është të respektohet data e zgjedhjeve.
“Me rëndësi është të respektohet data zgjedhjeve dhe të shihet se kur mund teknikisht të realizohet regjistrimi”, tha Ahmeti.
“Është koha e fundit që politikat shtetërore të bëhet në bazë të numrave që janë në këtë vend”, tha lideri i Alternativës, Afrim Gashi.
“Tash është e komplikuar, sepse Qeveria e tanishme e ka paraparë mu në atë kohë datën, që edhe po të ketë ndonjë marrëveshje, sërish nuk mundet”, tha lideri i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi.
Sa i takon regjistrimit, Ziadin Sela tha se Aleancë për Shqiptarët nuk do të jetë problem që paralelisht me zgjedhjet të realizohet edhe regjistrimi, sepse ai është proces teknik, dhe nuk duhet të varet nga subjektet politike.
Nga ana tjetër, lideri i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami ka deklaruar se për regjistrimin do të vendosë shumica parlamentare e re.