Zaevi shpreson se ka kohë të mjaftueshme për t’i realizuar të gjitha masat e premtuara

Pas takimit me liderët e partive të koalicionit, kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV) dhe lideri i Lidhjes Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev shprehu optimizëm se ka kohë të mjaftueshme që gjatë periudhës së ardhshme të realizohen një pjesë e madhe e masave tashmë të paralajmëruara nga Qeveria e udhëhequr nga ai, transmeton Portalb.mk.

“Për realizimin e asaj që nuk është realizuar deri më tani, ka kohë të mjaftueshme që të realizohen në thuajse gjashtë muajt vijues deri në zgjedhje. Kështu të fokusuar vazhdojmë t’u shërbejmë qytetarëve. Ne jemi liderët e qytetarëve të cilët e dimensionojnë të ardhmen e Republikës së Maqedonisë së Veriut në rrugën e drejtë nëpër të cilën na njohu BE-ja dhe SHBA-ja dhe e gjithë bota demokratike, rruga për të cilën dëshmuam se është e mundur të gjendet pas këtyre 28 viteve pavarësi. Besojmë se qytetarët do të qëndrojnë fuqishëm në këtë përcaktim duke i dhënë mbështetje një mandati të pastër me të cilin do t’i vazhdojmë këto politika”, tha Zaev.

Ai shtoi se LSDM ka propozuar që zgjedhjet të mbahen në dhjetor por se këtë propozim e ka kundërshtuar VMRO-DPMNE me elaborimin se nuk do të ketë 100 ditë për qeverinë teknike.

Zaev është i kënaqur që data është caktuar me konsensus dhe se shpreson se gjithashtu do të gjendet konsensus edhe për Ligjin për Prokurorinë Publike.

“VMRO-DPMNE i dha fillimisht argumentet se nuk dëshirojnë deri në fund të këtij viti dhe se tashmë kanë filluar të shqyrtohen datat. Janari dhe shkurti janë të rrezikshme që shtetin ta lëmë pa Parlament. Atëherë filluan të shqyrtohent variantet dhe e zgjodhëm 12 prillin. Më vjen mirë që me partnerët e koalicionit qëndrojmë të gjithë së bashku. Ky le të jetë mesazhi se jemi të pjekur dhe se dimë të dakordohemi kur duhet të dakordohemi që t’i ndhmojmë shtetit tonë”, theksoi Zaev.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Zaev tha se partia e tij sipas sondazheve prin para VMRO-DPMNE-së me tre pikë përqindëshe dhe se nga fundi i tetorit apo nëntorit do ta bëjnë edhe një hulumtim të opinionit publik.

Lideri i PRSD-së, Tito Petkovski pas takimit deklaroi se në këtë moment duhet bërë sinergji dhe të motivohen sa më shumë intelektualë, organizata qytetare dhe parti politike që të bëhen zgjedhje të cilat duhet të jenë reflektim i disponimit të vërtetë të qytetarëve.

Takimi me liderët e koalicionit, erdhi pas takimit të liderëve në Vilën Vodno, ku u riafirmua qëndrimi se pavarësisht se kush do të jetë në pushtet dhe opozitë, fuqishëm do të vazhdojë hapërimi drejt anëtarësimit të plotfuqishëm në Bashkimin Evropian (BE) dhe se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 12 prill të 2020-s.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button