KUR FEJA RECIKLON KRIMIN

Patriarku Irinej i Kishës Ortodokse të Serbisë, njësoj si në kohën e Kasapit të Ballkanit  kërkon me ngulm forcimin e unitetit serb për kthimin e Republikës së Kosovës aty ku ishte para majit të vitit 1999. Ai bën apele për politikë më agresive serbe, që duhet të jetë në proporcion me presionet e jashtme të cilat i bëhen Serbisë për pranimin e shtetësisë së Kosovës. Sipas tij: Serbia pa zemrën e saj Kosovën e Metohinë nuk është Serbi.

Idetë për rikolonizimin e sërishëm të Kosovës, mbi të cilën shteti serb ka ushtruar me dekada terror të egër, Irinej i plason në unison me reliktet e politikës hegjemoniste, pjesë e së cilës janë dhe presidenti, kryeministrja, shefi i diplomacisë serbe, intelektualët piromanë, shkrimtarët e akademikët albanofobë, partitë politike me ide shoviniste dhe, natyrisht, gjeneralët mbeturina të armatës paramilitare millosheviqjane.

Për obligimin kombëtar të kthimit të rrotës së historisë, makiavelisti Irinej i referohet, si i vin më mirë, Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, sipas së cilës: Shqiptarët duheshka gëzojnë autonomi, por Kosova duheshka të kthehet patjetër brenda kufijve të Serbisë. Ky është refreni i ditëpërditshëm i ftesave luftnxitëse të luciferrit që “predikon” paqen e Zotit, i liderit shpirtëror të serbëve që bën sikur nuk e ka të qartë se tentimi për kthimin e sërishëm të Kosovës në kasaphanen e tij nënkupton gjakderdhje e gjenocide të reja në këtë pjesë të Evropës.

Ashiqare, Irinej nuk u tutet luftërave dhe tmerreve të saj. Shpirtin e tij e trazon vetëm paqa eventuale ndërmjet serbëve e shqiptarëve dhe droja e tradhëtisë së idealeve serbomëdha nga ana e krerëve të lartë të politikës serbe, veçmas dorëzimi i mundshëm i Vuçiqit para presioneve të mëdha të shteteve më të fuqishme të globit, që, me disa përjashtime, tani më e ka njohur Kosovën shtet. Shi për këtë, para pak ditësh Irinej e dekoroi presidentin Vuçiq me dekoratën më të lartë të Kishës ortodokse serbe dhe e lavdëroi kryeneçësinë e tij për mospranimin e shtetësisë së Kosovës. Me këtë akt, patriarku tenton ta betonojë qëndrimin rigjid të politikës aktuale serbe ndaj Kosovës shtet të pavarur, me çka mbetet e hapur mundësia për kthimin e saj në kthetrat serbe, nëse prishet balanci aktual i forcave dhe nëse ndryshojnë rrethanat dhe interesat e fuqive të mëdha…

Drojën e reciklimit të së keqes e bën më reale rritja e ndikimit rus në Serbi dhe dështimi i Mogherinit dhe Hahnit për të zgjidhur drejt konfliktin shekullor serbo-shqiptar, që tani do të tentojnë ta zgjidhin diplomatët amerikanë: ambasadori Richard Grenell – i dërguari special i presidentit Tramp dhe përfaqësuesi i Departamentit të shtetit Matt Palmer, me gjasë nëpërmjet politikës së shkopit e karrotës.
Dy diplomatët me përvojë të SHBA, pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë dhe ndryshimeve që do të pasojnë në qeverisjen e vendit nga një strukturë e re, do të përpiqen që në një afat relativisht të shkurtë të arrijnë një marrëveshje, që pritet të rezultojë me njohjen e shtetësisë së Kosovës nga Serbia. Kjo kuptohet lehtësisht nga kërkesa e qartë e Departamentit të shtetit amerikan, në të cilën, mes tjerësh, thuhet: Ne mirëpresim mundësinë të punojmë me një qeveri të re pro-dialogut, që të jetë e angazhuar për forcimin e demokracisë dhe paqes, për drejtësi dhe mirëqenie për gjithë qytetarët e Kosovës. Ne kemi qenë të qartë për pritshmërinë tonë, që udhëheqja e re e Kosovës të jetë e gatshme të rifillojë menjëherë bisedimet me Serbinë dhe të punojë drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy sheteteve…

Albin Kurti, ndërkaq, që duhet të jetë kryeministri i ri i Republikës së Kosovës, është kategorikisht kundër marrëveshjeve që mund ta detyrojnë Kosovën të bëjë kompromise të reja në favor të Serbisë. Menjëherë pas fitores në zgjedhje të Vetvendosjes, Albini shprehu gatishmërinë për dialog me serbët e Kosovës. Kurse, sa i përket dialogut Serbi-Kosovë deklaroi, se: Pajtimi mund të bëhet kur Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës edhe t’i paguajë dëmet e luftës…

Sipas njohësve të çështjes në fjalë, pozicioni hegjemonist i politikës rigjide serbe dhe qëndrimet jo fort të afërta të Departamentit të shtetit amerikan dhe kryeministrit të ardhshëm të Kosovës, mund ta mbajnë të hapur për kohë të pacaktuar dialogun Kosovë – Serbi, e kjo mund të hidhërojë presidentin Tramp, që duket se do të udhëheqë një politikë ndryshe ndaj këtij problemi në raport me ish presidentët  e SHBA – Klinton, Bush dhe Obama.

Nëse kësaj mundësie akoma hipotetike ia shtojmë edhe mungesën e gatishmërisë së politikanëve shqiptarë për të folur me një zë për çështjet madhore të Kosovës, trysnia ndaj më të dobëtit dhe rreziku i kompromiseve të dhembshme në dëm tonin duket shumë i mundshëm. Mos e dhashtë Zoti!, por, nëse ndodh çfarëdolloj ndarje e re Republikës së Kosovës, fajet do të bien mbi politikanët shpirtshitur e të korruptuar shqiptarë, që e presin duelin me armikun shekullor si tre gomerët e fabulës, të cilët përfunduan njëri pas tjetrit në barkun e ujkut.

Megjithatë, duhet të shpresojmë se edhe kësaj here do të ngadhnjejë drejtësia dhe Kosova do ta ruajë pavarësinë e saj në kufijtë me të cilët është pranuar nga shtetet më të fuqishme të botës.

Zgjidhjet tjera do të krijonin një Palestinë të re në mes të Evropës, e cila u konvenon vetëm luftënxitësve si puna e patriarkut militant serb Irinej.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button