DER GROßE FALL

Apo shqip: Rënia e madhe. Titulli i njërës nga veprat e Peter Handke-s.  Nobel 2019 për letërsi:  degradim i vlerave, shfytyrim kulturor, vendim fatal, skandal intelektual, tradhti  elitare, shkelje mbi vlerat, mbi dinjitetin, mbi gjakun, mbi të kaluarën e dhimbshme të Europës. Shkrimtari, novelisti, skenaristi, përkthyesi dhe poeti austriako-slloven progjenocidal Handke, që lëvdon  uraganin serb të krimit, Millosheviqin, e fitoi çmimin Nobel për letërsi, shpërblimin më të madh dhe më prestigjioz planetar në këtë fushë.

Të stepur e të shtangur të gjithë njerëzit mendjendritur dhe që mbajnë dertin e vlerave dhe të ardhmërisë së botës e të njerëzimit. Tronditje që s’ke me të. I njohur për fjalimin në varrimin e Millosheviqit që merret si një apologji ndaj ultra-nacionalizmit serb që shkaktoi vrasjen e mbi 300 mijë njerëzve të trojet e ish-Jugosllavisë, varrin më të madh pas Luftës së Dytë Botërore. Verdikti i një institucioni si Akademia e Shkencave e Suedisë, që çmimin në fjalë e ndërlidh me fjalën idealisk që përkthehet se ideal, si një idealizëm që prin në të drejtat njerëzore në një shkallë të gjerë.

Imagjinoni në vitin 1901 Sully Prudhomme (1839-1907) ishte personi dhe eseisti i parë i shpërblyer me këtë çmim me arsyetimin “mirënjohje për kompozimet e tij poetike, që janë prova për idealizmin madhështor, për perfeksionin artistik dhe kombinimin e rrallë të kualiteteve të zemrës zemrës dhe intelektit.” Ç’idealizëm madhështor, ç’zemër ka te Handke? Si t’i gjendet vend atij në sërën e fituesve si Tagore, Bergson, Hesse, Gide, Hemingway, Camus, Steinbeck, Shollohov, Neruda, Marquez, Paz etj.

Handke, një penë që më mirë do të përshkruhej përmes metaforës së shigjetës që ka goditur popujt ballkanikë, por edhe sedrën e gjithë njerëzve me cipë e perde. Një njeri që kritikoi ndërhyrjen humanitare të NATO-së me 1999, që si rrjedhim mori çmimin e qytetarit të nderit të Beogradit dhe iu akordua antarësia në Akdeminë Serbe të  Shkencave dhe të Arteve. Shkrimi është i shenjtë, por ama kur autori ngatërron notat e pentagramit në komunikimin publik dhe ia mban anën një krimineli dhe një fushate për pastrim etnik del një kriminel më i madh se vetë “satrapi i Pozharevcit”.

Ky shkrimtar, që ka braktisur katolicizmin për shkak të bombardimeve ndaj Serbisë, ka pohuar se muslimanët ishin vrarë mes vete mes 1992-1995, është munduar ta bindë opinionin publik europian se kurbanët e luftrave jugosllave vetë shpiknin krimet dhe varrezat masive, se do të kishte dashur të ishte një klerik serbo-orthodoks që lufton për Kosovën, se “s’e dinte të vërtetën, por shihte, dëgjonte, ndjente, se i kujtohej, se ishte pranë Jugosllavisë, Serbisë, Sllobodan Millosheviqit”. I njëjti më 2006 për shkak të kritikave që mori lidhur me qëndrimet politike ishte tërhequr nga kandidatura për shpërblimin “Heinrich Handke”. Dhe më 2014 kur vajti në Osllo për të pranuar shpërblimin Ibsen u prit me protesta, me pllakata si “genocid denier”(Mohues i gjenocidit). Ai me sa duket është peng i nevojës për tifozeri emocionale, për dashuri spektakolare se sa për mesazh prohuman, për paqe e mirëqenie universale. Vetë e pranon se përkundër anëmbajtjes së Serbisë Handke vetë ka pranuar se atje më shumë e duan se sa që e lexojnë.

Handkes, autorit të veprës Drejtësi për Serbinë,  që është pozicionuar në anën e kundërt të historisë europiane nuk i ndihmon për të shpëtuar nga mëkati shkrimor arsyetimi i Komitetit të Nobelit se çmimi i akordohet për shkak të “gjuhës së jashtëzakonshme, hulumtimit të hollësisë, dhe përvojës së veçantë njerëzore“, as kualifikimet moral-relativiste se nuk merren parasysh qëndrimet politike por “inventiviteti linguistik”. Handke kombinon thellësinë madhështore me verbërinë shokuese etike. (Kunzuru) Ai ka tradhtuar amanetin e themeluesit të shpërblimit. Ezra Pound ka qenë një prej shkrimtarëve më të mëdhenj por kurrë s’e ka fituar këtë shpërblim, me gjasë për shkak të fashizmit dhe antisemitizmit që ka shprehur.

Profesori nga Universiteti i Gracit, Florian Bieber këtë shpërblim për mohuesin e krimeve të luftës dhe mbrojtësin e logjikës së Karaxhiqit, që më 1996 ka shëtitur nëpër Srebrenicë dhe Vishegrad vetëm disa muaj pas masakrave, që ka fyer çdokë që ka kundërshtuar atë, e konsideron si gabim tragjik. Më e keqja është se ai kontribuon rihapjes së hendeqeve mes kombeve, i bëhet barrierë pajtimit. Siç shprehet Ed Williamy për “The Guardian” fryma aktuale politike e kohes dhe refuzimi i bashkëjetesës me tjetrin i kanë rrënjët në therjet postjugosllave. E mu Handke në mënyrë implicite i afirmon këto therje. Jonathan Little thotë se ai mund të jetë një artist fantastik, por si qenie njerëzore është një armik imi, është një trap (asshole), kurse mendimtari i dalluar francez Alain Finkelkraut e quan “monstër ideologjike”.

Rasti Handke, flet për një krizë të thellë etike dhe aksiologjike, për përçartje morale. Imagjinoni: Handke-ja vetë më 2014 ka thirrur që Nobeli të abrogohet se përbën një kanonizim falco të letërsisë, dhe tani e pranon një çmim nga i njëjti institucion. (Zhizhek) Detyra e shkrimtarit është më e madhe se shkrimi, është dëshmimi i të vërtetës. Relativizimi i krimit është nxitje për krime të së ardhmes. Nobelit i dridhen kockat në varr nga kjo rënie e lirë, nga kjo shkelje mbi misionin, nga kjo katandisje kulturore dhe qytetërimore. Kah po shkon njerëzimi mor jahu! Një shtet që ka arritur apogjeun e prosperitetit vjen me një prurje djallëzore. S’ka më keq. S’ka më keq se kur fillon të frikohesh për drejtimin që ka marrë anija e njerëzimit. Si duket e ka humbur busullën! Handke ka rënë vetë, i ka humbur mendtë, “i ka shitur drurët” qëmoti dhe mundohet të bëjë për vete botën. Pyetja është se si ka mundësi që kjo rënie të afirmohet, të promovohet? Si ka mundësi që medalja e nderit e prestigjit të shndërrohet në njollë të turpit? Ruana Zot nga beteri!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button