MAGNETIZMI PERSONAL: KARIZMA

Ideja për këtë shkrim rrodhi dy burime, zgjedhjet në Kosovë (më konkretisht, figura e Kurtit) dhe pylli i pishave në malin Vodno të mbjella nga koha e Titos (fundi i viteve ’70) që gjatë ecjes së djeshme më la pa tekst në aspektin pozitiv krahasuar me një tabelë-hartë orientimi të bërë shoshë nga plumbat e të rrëzuar nga brezat rebelë të kohës tonë që s’dinë për vlera ekologjike e as për ato informative. Njëri lë përshtypje të një prijësi karizmatik që përmes bagazhit intelektual dhe ligjëratës së vet i bën turmat për vete gjithandej, tjetri, ndonëse me  ideologji që ka bërë kërdi në shekullin e kaluar, më shtyu që në vetvete t’i duartrokas kur shoh bëmat e politikanëve të sodit që s’di se çfarë lënë pas vetes. S’bëhet fjalë për nostalgji, por për empirizëm, për vepra. Pra, tema e sotme është një nocion i dëgjuar, aktual dhe shpesh jo i kuptuar sa duhet: Karizma.

Elaborimin ta fillojmë me pak histori. Në verën e nxehtë të 1886-ës në Britaninë e Madhe zhvillohej gara për kryeministër mes William Gladstone dhe Benjamin Disraeli-t. Ishte periudha viktoriane dhe ai që do të fitonte do të udhëhiqtë gjysmën e botës. Javën e fundit para zgjedhjeve patën rastin të hanin darkë me një zonjë të re. Dhe natyrisht shtypi, si gjithnjë kurioz, deshi të mësonte për përshtypjet që rivalët kishin lënë te shoqëruesja, e cila pati deklaruar: “Pas darkës me z-ri Gladstone-in mendova se ai është njeriu më i mençur në Angli, kurse pas takimit me Disraelin, konstatova se isha unë njeriu më i mprehtë në Angli”. Dhe, zgjedhjet i fitoi i dyti, individi i cili të tjerët i bënte të ndjehen inteligjentë, mbresëlënës dhe frymëzues, me një fjalë, personaliteti karizmatik.

Karizma – nga greqishtja χάρισμα (khárisma), “favor”, “dhunti”, “aftësi e mrekullueshme” – si art i mangetizmit personal është një term i rëndësishëm në sferën e sociologjisë, psikologjisë, në atë të shkencave konjitive dhe bihejviorale, që ndërlidhet edhe me mbiemrin karizmatik/e, me shprehjet prijës karizmatik, lider karizmatik i biznesit, yll muzikor karizmatik në skenë, sportist karizmatik etj.

Ç’nënkupton në fakt kjo fjalë? Karizma shenjon aftësinë për t’i tërhequr, për t’i mahnitur dhe për të ndikuar te njerëzit përreth dhe më gjerë, përshkruan cilësi misterioze, veçori të jashtëzakonshme që besohet se janë të bashkëlindura dhe që një njeri e dallojnë nga të tjerët. Pra, karizma është forcë tërheqëse ose joshje speciale e një personi që ngjall besueshmëri të veçantë popullore ose entuziazëm për një figurë publike. Karizmatikët kanë vetëbesim, optimizëm, gjuhë trupore ekspresive, zë pasionant. Ata janë dëgjues të mirë dhe mbajnë kontaktin me sy në ndërveprimet ballë për ballë. Ata janë entuziastë dhe flasin bindshëm. Karizma i bën zotëruesit e saj të duhen nga të tjerët, të besohen dhe të kërkohen për të prirë. Njerëzit karizmatikë ndikojnë botën, qoftë nëse nisin projekt të ri, kompani të re ose perandori të re.

Përveç mendimit se është e bashkëlindur, se atë ose e ke ose s’e ke dhe s’mund të mësohet apo të fitohet, ekziston  edhe qëndrimi tjetër, se karizma arrihet, zhvillohet, përmes praktikës së vetëdijshme. Madje ka të atillë që “ligjërojnë dhe ua mësojnë njerëzve karizmën”. Shumë figura karizmatike kanë punuar fort për të ndërtuar karizmën e vet, duke e forcuar atë hap pas hapi. Për shembull Steve Jobs, CEO i Apple, në prezantimet e para ka qenë shumë i turpërueshëm, i ngathët dhe i mërzitshëm, por me kalimin e kohës prezantimet e tij publike ndryshuan tepër, u bë yll. (Cabane, 2012)

Sipas Robert House liderët karizmatikë i bëjnë ndjekësit të jenë fort të përkushtuar ndaj misionit të liderit, të bëjnë sakrifica personale për të  dhe të sillen përtej thirrjes së detyrës. Personat e kësaj kategorie janë më me ndikim, më bindës dhe më frymëzues. Në kontekstin fetar, besimtarët i cilësojnë figurat e tyre fetare si “njerëz me perfeksion të lartë, me karizmë speciale”, me dhunti hyjnore. William M. Watt këtë e ndërlidh me mbretin të cilit që nga kohët e lashta i janë përshkruar cilësi sakrale apo hyjnore që i kalohen nga paraardhësi ose i fiton përmes një akti ritual. Ai flet për “komunitetin karizmatik” të islamit të shekullit të VII-të. (Brockopp, 2005)

Këtë kuptim ia ka dhënë edhe Rudolph Sohm, si dhe Max Weberi në veprën e tij Teoria e organizimit shoqëror dhe ekonomik (1924):

“Karizma është një cilësi e caktuar e një personaliteti në bazë të virtytit përmes të cilit ai dallohet nga njerëzit e rëndomtë dhe trajtohet si pajisur me mbinatyroren, mbinjerëzoren ose së paku nga fuqi ose kualitete te jashtëzakonshme. Të njëjtat janë të parritshme për personat ordinerë, shihen si me orgjinë hyjnore ose si shembullore dhe në bazë të tyre individ konsiderohet si lider.”

Sipas disave liderët karizmatikë më tepër lindin në shoqëri me demokraci të pazhvilluar sa duhet, në shoqëritë ku ka çrregullime e kaos. Historia shënon liderë karizmatikë konstruktivë, që kanë kontribuar në zhvillimin e institucioneve dhe të shoqërisë dhe destruktivë, që janë shënuar me bëmat e tyre negative për vendin dhe njerëzimin (Shimshek, 2013), si Hitleri, Stalini etj. Dijetarët kanë shënuar edhe profilin e karizmës së (ba)mirësisë.  Është për t’u theksuar se disa njerëz karizmën e fitojnë pasi të vdesin.

Karizma ka impakt të rëndësishëm social. Tregtarët karzimatikë shesin më shpejt dhe më tepër, artisti karizmatik fiton më shumë, profesori karizmatik ka më tepër simpati te studentët, futbollisti karizmatik e bën botën për vete… Lista e karizmatikëve është tepër e gjatë. Do t’i përmendim disa: Leka i Madh, Napoleoni, Churchill, Ajnshtajni, Ataturku, Martin Luther King, Elvis Presley, Kennedy, Muhammed Ali, Che Guevara, Castro, Mandela, Arafat, Rugova, Riz Khan, Zidane etj.

Si përfundim, mund të themi se karizmatikët janë vizionarët që shohin larg, që marrin rrezik, që përveshin mëngët për ndryshime rrënjësore, që bëjnë veprime të jashtëzakonshme, që iu japin një ngjyrë të veçantë rrjedhave shoqërore. Ata janë heronjtë e romanit të kohës dhe jetës. Dhe karizma kosovare i fitoi zgjedhjet e djeshme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button