Do të rregullohen vitrinat e 97 dyqaneve në Çarshinë e Shkupit

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, sot së bashku me kryetarin e Komunës së Çairit, Visar Ganiu, kanë nënshkruar marrëveshjen për Projektin për rregullimin e vitrinave dhe reklamave në Çarshinë e vjetër të Shkupit me kompaninë kontraktuese “Konstruktor” DOO nga Shkupi, njoftojnë nga Ministria e Ekonomisë, transmeton Portalb.mk.

Ata njoftojnë se 9,700,000 denarë janë ndarë nga buxheti i Ministrisë së Ekonomisë për realizimin e këtij projekti, dhe 1,700,000 denarë nga buxheti i Komunës së Çairit për rinovimin e vitrinave të 97 dyqaneve në Çarshinë e vjetër të Shkupit.

“Duke pasur parasysh faktin se mu ky vend është padyshim më atraktiv për turistët vendas dhe të huaj, besojmë se çdo investim që synon rikthimin e autentitetit, si dhe promovimin dhe lartësimin e saj, është me interes kyç. Është një fakt i pamohueshëm se Çarshia e vjetër e Shkupit ka vlerë të paçmueshme dhe theksimi i pikëpamjes së saj të bukur dhe unike është e pashmangshme në çdo aspekt. Sot jemi këtu të gjithë së bashku për të marrë pjesë në këtë ngjarje solemne, ku shënojmë fillimin e fazës së 3-të të Projektit të rregullimit të vitrinave të dyqaneve të Çarshisë së vjetër të Shkupit”, theksoi ministri Bekteshi.

Ministri informoi se Ministria e Ekonomisë, në vitet e fundit, ka arritur që në dy faza të rregullojë 49 objekte në Bllokun 3.2 në Çarshinë e vjetër të Shkupit, duke rritur kështu ndërgjegjësimin e qytetarëve se duke ruajtur autentitetin e objekteve të vjetra, ne kontribojmë ato të jenë atraktive për turistët e huaj dhe vendas.

“Me qëllim përfshirjen e një numri sa më të madh të objekteve siguruam mjete edhe për rregullimin e 97 objekteve tjera në Çarshinë e vjetër të Shkupit me çka detyruam Komunën e Çairit të ndërmarrë të gjitha aktivitetet, në përputhje me Ligjin për fillimin e procedurës për rregullimin e tyre. Për të gjitha objektet, Ministria e Ekonomisë tashmë ka siguruar pëlqim nga Institucionet Kompetente (Ministria e Kulturës – Qendra Konservatore”, theksoi Bekteshi.

“Me realizimin e këtij projekti do të ndihmojmë në ruajtjen e këtij mundi të çmuar që është burim ekzistencial i traditës tonë. Projekti në fazën e tretë përfshin sanimin e vitrinave të 97 dyqaneve në vlerë të përgjithshme prej 11.400.000 denarë, shumë e siguruar nga partneriteti me Ministrinë e ekonomisë. Realizimin e fillojmë menjëherë pas nënshkrimit të sotëm të marrëveshjes me kompaninië Konstruktor DOO e cila ishte zgjedhur pas shpalljes ligjore të furnizimit publik” theksoi kryetari Ganiu.

Ata thonë se besojnë se të gjitha aktivitetet do të përfundojnë në përputhje me dinamikën e punës dhe afatet e përcaktuara në Kontratë.

Sipas dinamikës së realizimit të aktiviteteve, pritet që deri në fund të vitit të rinovohen të gjitha 97 vitrinat të përfshira me këtë Projekt.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button