Ndihma e Shpejtë, Ministria e Shëndetësisë do të blejë edhe shtatë autoambulanca të reja
Ministria e Shëndetësisë(MSH) ka hapur shpallje për prokurim publik për shtatë autoambulanca të reja të Ndihmës e Shpejtë, transmeton Portalb.mk.
Siç sqaroi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, meqë autoambulancat e prokurimit paraprak i plotësojnë nevojat e Shtëpisë së Shëndetit të Shkupit, këto shtatë autoambulanca do të shpërndahen në shtëpitë e shëndetit në territorin e Maqedonisë së Veriut.
“Nga Ministria e Shëndetësisë është nënshkruar edhe një shpallje për prokurim publik të autoambulancave, nga kursimi i mjeteve që e kemi bërë nga blerja e autoambulancave për Ndihmën e Shpejt para disa muajve. Analiza jonë ka treguar se, autoambulancat që u blenë herën e fundit janë më se të mjaftueshme për Shtëpinë e Shëndetit të Shkupit dhe mund të përgjigjen në kërkesat e qytetarëve, prandaj këto do të shpërndahen në shtëpitë e shëndetit në tërë shtetin”, tha Filipçe gjatë promovimit të pikës së rinovuar të vaksinimit në Poliklinikën e Çairit.
Sipas shpalljes, kriter është çmimi më i ulët dhe ofertat do të mund të dorëzohen më së voni deri më 1 tetor të 2019-s.
Mjetet për këto autoambulanca të reja, janë kursim i pakos së 12 autoambulancave, prej të cilave gjashtë u shpërndanë në Shkup, ndërkaq gjashtë në: Strugë, Dibër, Kërçovë, Krushevë, Kriva Pallankë dhe Berovë. Marrëveshja qe nënshkruar më 7 dhjetor të 2018-s dhe ka arritur vlerën prej 21.591.564,48 denarë, nga 30 milionë denarë të planifikuara.
- LEXO: Filipçe: Kanë tepruar mjete, mund të blejmë autoambulanca të tjera
- LEXO: Ndihma e Shpejtë në Maqedoni duhet të ndryshojë emrin në Ndihmë me vetura të vjetra (Infografik)
- LEXO: Autoambulancat në RMV me vjetërsi mesatare mbi një dekadë
Të dhënat treguan se RMV-ja ka autoambulancat të vjetra prej më shumë se 1 dekadë, e ndërkaq ekspertët e konsultuar nga Portalb.mk, të cilët më parë janë marrë me servisimin e veturave të autoambulancave të Ndihmës së Shpejtë, kanë vlerësuar se kriter i ndërrimit dhe servisimit të autoambulancave duhet të jetë përdorimi i veturave dhe kilometrazhi i kaluar. U kërkua që të ketë rregullore të veçantë për servisim dhe ndërrim të autoambulancave. Sipas të njëjtit, një autoambulancë e Ndihmës së Shpejtë nuk duhet të ketë më shumë se 10 vjet përdorim.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka njoftuar se në shërbimin e Ndihmës Mjekësore të Shpejtë në periudhën që do të vijojë do të ketë edhe punësime, që të mënjanohet edhe një tjetër problem tjerë, mungesa e kuadrit profesional.