Hahn ka kërkuar nga Prishtina heqjen e taksës, ndërsa nga Beogradi ndaljen e fushatës kundër njohjeve të Kosovës
Komisari për Zgjerim Johannes Hahn tha se rrjedha pozitive e dialogut midis Beogradit e Prishtinës është vendimtare për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor.
Hahn tha se “kryesore është heqja e taksës”.
Duke arritur në mbledhjen e ministrave të jashtëm të BE-së me ata të Ballkanit Perëndimor në Helsinki, ai theksoi rëndësinë e arritjes së marrëveshjes ndërmjet Beogradit e Prishtinës, transmeton Koha.net raportimin e B92.
Siç u shpreh ai, “Zgjidhja, përkatësisht rrjedha pozitive e dialogut midis Serbisë e Kosovës është në horizont dhe element vendimtar për perspektivën e ardhshme evropiane të gjithë rajonit”, ka thënë Hahn.
Hahn edhe njëherë u ka bërë thirrje autoriteteve të Prishtinës të heqin taksat për prodhimet nga Serbia.
“Vendimtare është tërheqja e tarfiave meqë janë në kundërshtim me frymën e Unionit. Kur bëhet fjalë për tregun unik atëherë aty nuk ka tarifa, as dogana. Kjo duhet të rregullohet”, është shprehur ai.
Ai ka shtuar se edhe Serbia duhet të ndërpresë fushatën për tërheqjen e njohjeve për Kosovën që po e zhvillon kudo nëpër botë.
“Të dy palët duhet të ndërmarrin hapa në drejtim të njëra tjetrës. Mendoj se mund të arrijmë marrëveshje dhe kjo nuk është e pamundur”, ka thënë Hahn, transmeton Koha.net.