S O S – A ka kush ta shpëtojë anijen tonë!

Zbrazja e hovshme e viseve shqiptare të qeshit shtetit po i bind së fundmi edhe optimistët më të mëdhenj se ekzodi i të rinjëve nuk ka asgjë të përbashkët me kurbetin. Të paktën jo me kurbetin që kemi njohur gjer më tani.

Dallimi është i frikshëm, sepse aktualisht nuk ikin si dikur një apo dy anëtarë të familjes, po e gjithë familja. Po ikë rinia. Po ik shpresa e së ardhmes. Janë me mijëra të rinjtë, që, në mungesë perspektive për ndërtimin e një jete normale aty ku gjithkush ka dëshirë të rrojë e të vdesë si njeri, shtegtojnë me vendimin e prerë të moskthimit në shkretishten, ku tani më dëgjohen notë për note kambanat e fundosjes së anijes së të mbetur pa timonier.

Ndër shenjat e sigurta të këtij tmerri, që mund ta shuajë për pak vite jetën në gjithë pjesën perëndimore të hajdutistanit është rrënia e shpejtë e numrit të nxënësve nëpër shkollat shqipe. Këtë u përpoqa ta verifikoj nëpërmjet bisedave të bëra me drejtuesit e disa shkollave (drejtorë e pedagogë) të rrethit të Tetovës, të cilët i falënderoj për të dhënat e ofruara.

Po e nis me fshatrat më të thella të Malësisë së Sharrit, ku situata është shumë alarmante.

Kështu, në vitin 2019, në Veshallë e në Bozovcë – në dy objektet e shkollës fillore “Besa”, klasën e nëntë e kanë kryer 6 semimaturantë, kurse në klasën e parë janë regjistruar vetëm 4 nxënës. Para viti 2000, numi i përgjithshëm i nxënësve të kësaj shkolle ka qenë 450, kurse sot ka rënë në 78.

Në shkollën “Rexhep Voka” të Shipkovicës, fshatin më të madh të Malësisë së Sharrit, këtë vit (2019) klasën e nëntë e kanë kryer 17 nxënës, kurse 18 janë regjistruar në klasën e parë. Gjatë viteve të 80-ta, ndërkaq, kjo shkollë ka pasur 4 paralele me mbi 120 nxënës vetëm në klasën e parë. Asokohe, numri i përgjithshëm i nxënësve të kësaj shkolle ishte mbi 700, kurse sot ka rënë  në 156.

Situata është e njëjtë edhe në objektin e të njëjtës shkollë në fshatin Brodec, ku sivjet (2019) kanë kryer semimaturën 12 nxënës dhe po aq janë regjistruar në klasën e parë.

Shqetësuese janë dhe të dhënat për rënien drastike të numrit të nxënësve në fshatrat e Malit të Thatë.  Është vetëm çështje kohe kur do t’i vihet dryri shkollës së Gurgurnicës dhe të Korritës. I njëjti fat e pret edhe shkollën “Hasan Tahsini” të fshatit Sedllarevë, i cili në vitin 2008 kishte mbi 420 nxënës, kurse më 2019 vetëm 64. Aktualisht, shkollat e pesë fshatrave (Sedllarevës, Rogles, Novo Sellës, Merovës dhe Llukovicës), që funkcionojnë me një drejtori, kanë bashkërisht 384 nxënës. Pra, më pak se shkolla e Sedllarevës në vitin 2008.

Hiq më e mirë nuk është situate edhe në vendbanimet fushore.

Bie fjala, shkolla “Dervish Cara” e Pallçishtit të Poshtëm, që para 10 vitesh kishte afër 700 nxënës, sot ka 420. Atë e kanë kryer sivjet 40 semimaturantë, kurse në klasë të parë janë regjistruar 35 nxënës.

Shkolla “Sabedin Bajrami” e fshatit Kamjan që para 15 vitesh kishte gati 1300 nxënës, tani ka 250.

Shkolla “Asdreni” e fshatit Gllogjë, që para 10 vitesh kishte mbi 500 nxënës, tani ka rënë në 250 nxënës.

Shkolla “Fan Noli” e fshatit Trebosh gjithashtu ka rënie të numrit të nxënësve. Para 10 vitesh në të ndiqnin mësimet 760 nxënës, kurse sot afër 570 nxënës.

Edhe shkolla “Luigj Gurakuqi” e fshatit Zhelinë brenda dhjetë viteve të fundit ka një rënie nga 740 në afro 540 nxënës.

Rënie të numrit të nxënësve ka edhe në shumicën dërmuese të shkollave të tjera të fshatrave malore e fushore të Tetovës. Kurse vetëm në pak fshatra (Sellcë, Strimnicë, Dobrosht, Nerasht…) numri i nxënësve ka mbetur për disa vite pothuajse i njëjti.

Për ta kuptuar më mirë kahjen nga e cila jemi nisur qorras, po japim dhe numrin e përgjithshëm të nxënësve të shkollave fillore të Tetovës, bashkë me fshatrat, që në vitin 2013 ka qenë 11000, kurse më 2019 ka rënë në 8800 nxënës. Gjatë të njëjtës periudhë kohore, ka rënë edhe numri i nxënësve të shkollave të mesme të Tetovës, nga 9000 në 6700.

Mjerisht, shumë më e trishtueshme është situata në Manastir, Ohër, Strugë, Kërçovë, Dibër…, po, për çudi, askush nuk posedon statistika të sakta lidhur me shuarjen e jetës në viset shqiptare, lëre më të brengoset e të alarmojë për të.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button