Incidenti në Reçicë, prindi Jusuf Bilalli: Xhevat Ademi ka shtënë me armë (video)
Prindi i të riut që u plagos para një muaji në një dasmë në Tetovë, në një prononcim për Alsat-M ka përgënjeshtruar deklaratën e një dite më parë të deputetit të BDI-së, Xhevat Ademi për të njëjtin medium i cili hodhi poshtë çdo përfshirje të tij në këtë incident.
Por, Jusuf Bilalli, prindi i njërit nga të plagosurit thotë të kundërtën. Bilalli, thotë se është dëshmitar i tërë ngjarjes se si Xhevat Ademi së bashku me një person tjetër kanë gjuajtur me armë zjarri dhe nga plumbat e shkrepur është plagosur djali i tij dhe një i ri tjetër.
Ndryshe, nga Aleanca për Shqiptarët (ASH), përmes një kumtese sot pyesin publikisht deputetin e BDI-së Xhevat Ademin, se a është e vërtetë se ju po gënjeni dhe po tentoni me çdo kusht ta fshihni këtë rast, për të cilin nëse dikush tjetër ta kishte bërë këtë vepër sot do të gjendej në burg dhe jo në liri?
“Në qoftë se, ju keni ndikuar me fuqinë tuaj si deputet i BDI-së që ky rast të fshihet, ju keni bërë një vepër tjetër penale, andaj për të mos supozuar fajësinë tuaj, ftojmë urgjentisht policinë dhe prokurorinë të pohojnë ose mohojnë deklaratat tuaja dhe aq më tepër të tregojnë kush janë personat që plagosën dy të rinjtë në ahengun familjar një muaj më parë”, thuhet në kumtesën e Aleancës për Shqiptarët.
Përndryshe, më 30 korrik 2019 në një dasmë në Tetovë, nga të shtënat me armë zjarri të plagosur mbetën dy persona, ku njëri prej të plagosurve ishte edhe djali i Xhevat Ademit.