Demolohet zyra e Idrizit, iniciuesi kundër ndërtimeve në Çair

Gjatë këtyre ditëve një grup i qytetarëve të pakënaqur me planin e ri urbanistik i Komunës së Çairit kishin diskutuar me përfaqësuesit komunal të Çairit lidhur me ndërprerjen e ndërtimeve të reja, të cilat, siç pretendonin ata, do të ngriten në zonat e gjelbra, njoftoi Almakos.

“Ne që jemi nënshkruar më poshtë, vlerësojmë se me realizimin e këtij vendimi do të krijohen shumë probleme të natyrave të ndryshme”, – thuhej në peticionin e nënshkruar nga një pjese e banorëve të Komunës Çair.

Nga komuna thanë se protestuesit kanë të drejtë ta shprehin revoltin e tyre dhe askush nuk mund ti ndal ata.

Por mbrëmë ka ndodhur një incident i rëndë, duke iu demoluar zyra udhëheqësit të grupit iniciues të qytetarëve të Çairit për ngritjen e peticionit, Bujar Idrizi.

Ai dyshon se pas këtij akti vandal qëndrojnë persona, apo grupe të organizuara të afërta me Komunën e Çairit të cilët dëshirojnë ta parandalojnë atë dhe qytetarët e kësaj Komune për iniciativën e marrë ditë më parë.

Idrizi pohoi se vetë kryetari i Komunës Izet Mexhiti e ka informuar atë se përballë ambulancës së Çairit, do të ndërton daja i Xhelal Bajramit, zv/ministri aktual për Transport dhe Lidhje.

“Mbrëmë rreth orës 1:35 minuta në bazë të pohimeve të disa personave të cilët ishin në vendin e ngjarjes, katër persona e kanë thyer zyrën dhe nga aty është marrë vetëm një video bim, por nuk është marrë edhe paisja tjetër teknike e cila është disa herë më e shtrenjtë se sa vetë video bimi. Duke marrë gjithashtu parasysh edhe ngjarjen apo iniciativën nga ana ime së bashku me disa qytetarë, për të parandaluar ndërtimin e disa ndërtesave të reja në pjesët gjelbëruese të Komunës së Çairit, lenë të dyshohet se pas këtij akti qëndrojnë persona të afërt me komunën e Çairit. Ne organizuam një peticion ku kërkuam ndryshimin e planit detal urbanistik, dhe i njëjti është dërguar tek komuna e Çairit, Qyteti i Shkupit, dhe Ministria për Ekologji, por do ta dorëzojmë edhe deri tek Ministria e Transportit” tha Idrizi.

Ai më tej kërkoi nga organet që të zbardhet rasti.

“Kërkoj nga Ministria e Punëve të Brendshme që ta zbardhë rastin në fjalë, por ne apelojmë dhe bëjmë thirrje edhe liderit të BDI-së Ali Ahmeti që ai personalisht të japë kontributin e tij për zbardhjen e këtij rasti, sepse ai vetë personalisht ka qenë i cili kishte premtuar qytetarëve të Komunës së Çairit se personat të cilët po udhëheqin komunën e Çairit janë shqiptarët më të mirë” ka theksuar Idrizi.

Lajme të ngjashme

Back to top button