Kryetari i Këshillit Turk të Arsimit të Lartë, viziton USHT-në

Kryetari i Këshillit Turk të Arsimit të Lartë, Gokhan Çetinsaja, sot më 12.06.2013, qëndroi për vizitë pune në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

Në USHT, z. Gokhan Çetinsaja, u prit nga Rektori, Prof. dr.Vullnet Ameti, i cili delegacionin turk e njohu më rrjedhat e veprimtarisë akademike, procesin mësimor-shkencor dhe bashkëpunimin ndëruniversitar.

“Universiteti ynë ka shënuar rezultate pozitive, si në rritjen e numrit të studentëve, shtrirjen e veprimtarisë akademike në qytetet kryesore të vendit tonë, afrimin dhe avancimin e kuadrit mësimdhënës, dhe merr pjesë në realizimin e disa projekteve dhe konferencave shkencore që organizohen në bashkëpunim me universitetet tjera nga vendi, rajoni dhe ato ndërkombëtare”, tha Rektori i USHT-së, Prof.dr.Vullnet Ameti.

Rektori, në këtë takim, po ashtu vuri në dukje edhe bashkëpunimin e shkëlqyer të USHT-së me universitetet nga Republika e Turqisë, me të cilët janë realizuar disa bashkëpunime shkencore, dhe me këtë rast theksoi përfundimin me sukses të Simpoziumit Ndërkombëtar të Shkencave Sportive, që u mbajt prej 31 maj deri 1 qershor 2013, në të cilin morën pjesë mbi 100 studiues nga vendi dhe Republika e Turqisë, që u organizua nga Universiteti Shtetëror i Tetovës në bashkëpunim me Universitetin e Trakisë.

Ne, do të vijojmë angazhimin tonë, që edhe në të ardhmen t’i forcojmë marrëdhëniet ndëruniversitare, si forma e vetme për të arritur rezultate në modernizimin e arsimit të lartë, u shpreh ndër të tjera Rektori i USHT-së, Prof.dr.Vullnet Ameti.

Z. Gokhan Çetinsaja, shprehu mirënjohjen e tij ndaj drejtuesve të USHT-së, për rritjen e nivelit të bashkëpunimit ndëruniversitar, në shkëmbimin e përvojave akademike, studentëve dhe stafit mësimdhënës.

Lajme të ngjashme

Back to top button