Phelps mbeti edhe pa një rekord, Dressel kampion në 100 metra delfin

Caeleb Dressel ka thyer rekordin e botës të Michael Phelpsit në 100 metra delfin, të premten në Kampionatin Botëror që po mbahet në Gwangju të Koresë së Jugut, njofton Koha.net.

Amerikani fitoi baterinë e tij në gjysmëfinale me kohë 49.50 sekonda, duke përmirësuar për 0.32 sekonda rekordin e botës që e kishte vendosur Phelps në vitin 2009 në Romë në kulmin e epokës të veshjeve high-tech.

Dressel, 22-vjeçar, po vlerësohet favorit absolut për të fituar finalen e së shtunës.

Amerikani në gjysmëfinale ishte për plot 1.44 sekonda më i shpejtë se Andrei Minakovi i Rusisë, që pati kohën e dytë më të mirë në kualifikime, transmeton Koha Ditore.

“Unë kam dashur të thyej atë rekord të Michaelit. Shpresoj të jetë i lumtur që më ka parë duke e bërë këtë”, ka thënë Dressel.

Është rekordi i dytë i botës i Phelpsit që është thyer në këtë botëror të notit. Hungarezi Kristof Milak ia theu rekordin në 200 metra delfin, duke notuar për 1:50.73 minuta dhe duke përmirësuar kohën prej 1:51.51 minuta që Phelps e kishte vendosur në Romë në vitin 2009.

Dressel nuk ishte i vetmi që theu rekord të botës të premten. U thyen edhe dy rekorde tjera.

Anton Chupkov i Rusisë theu rekordin e botës në 200 metra bretkosë në finale. Ai fitoi garën me kohë prej 2:06.12 minutash, duke e mbrojtur titullin e botës të fituar dy vjet më parë në Budapest. Ai e përmirësoi rekordin e botës që australiani Matthew Wilson e kishte barazuar në gjysmëfinale një ditë më herët. Ippei Watanabe i Japonisë fillimisht kishte vendosur këtë rekord në janar të vitit 2017 në Tokio.

Chupkov në finale kishte qenë i teti pas 50 metrave të parë dhe arriti të ngrihej në pozitën e pestë pas 150 metrave. Më pas në 50 metrat e fundit notoi për 31.89 sekonda, e me këtë e kaloi Wilsonin si dhe e theu rekordin e botës.

Rekord tjetër të botës vendosi edhe amerikanja 17-vjeçare Regan Smith. Ajo fitoi garën gjysmëfinale në 200 metra shpinë me kohë 2:03.35 minuta, duke përmirësuar për 0.71 sekonda rekordin që e mbante bashkëkombësja Missy Franklin, të cilin e kishte vendosur në Lojërat Olimpike të vitit 2012 në Londër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button