Policia përdor dhunë, shqiptarët nuk ankohen?

Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”, përmes zyrës nacionale dhe këshilltarëve për drejtësi në rajon, kanë regjistruar 20 raste në të cilat ka pasur 23 viktima nga keqpërdorimi i postit dhe pozitës policore, torturë (brutalitet) apo mosveprim.

“Numri më i madh i rasteve të regjistruara, janë qytetarë nga nacionaliteti maqedon dhe rom, ku janë të evidentuara 10 viktima nga të dyja nacionalitetet. Kemi regjistruar edhe tre raste nga nacionaliteti turk. Ky fakt çon drejt konkluzionit të mundshëm se viktimat nga nacionaliteti shqiptar nuk ankohen për torturë policore” thonë nga Koalicioni.

Shumica e ankesave për torturë policore apo mosveprim kanë të bëjnë me presion psikologjik ndaj viktimës që të heqin dorë nga ndonjë e drejtë e tyre, por ka pasur edhe përdorim të tepërt të dhunës fizike ndaj viktimës, thuhet në analizën e koalicionit.

Sipas Koalicionit, viktimat së pari janë ankuar te organet kompetente kundër përdorimit të dhunës nga ana e policëve të uniformuar, ose për shkak të mosveprimit të policisë pas ankesave të paraqitura.

“Nga ankesat e paraqitura për torturë policore, nëpërmjet këtij projekti janë regjistruar 54 shkelës të ligjit, një prej tyre është shef i stacionit të policisë lokale, ndërsa ankesa ka të bëjë për mos veprim të personit të autorizuar pas paraqitjes së ankesës” thuhet në kumtesën e tyre.

Për rastet e regjistruara, Koalicioni ka ofruar ndihmë juridike falas, nëpërmjet së cilës viktimat së pari kanë ngritur ankesë kundër dhunës së përdorur qëllimisht nga ana e policëve të uniformuar apo mos veprimit nga ana e tyre pas paraqitjes së ankesës.

Në aspektin e strukturës së moshës së viktimave, edhe në vitin 2012 viktimat meshkuj janë më shumë se femrat. Fakti shqetësues është se mosha e viktimave është më e ulët në krahasim me vitet e mëparshme. Kështu, viktima më e re në moshë ndaj së cilës është përdorur torturë policore vitin e kaluar, është nën 16 vjet”, thuhet në analizën e Koalicionit “Të gjithë për gjykim të drejtë”. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button