Paloka: Edi Rama ka planifikuar konflikt civil në Shqipëri
Ish-deputeti i Partisë Demokratike Edi Paloka akuzon qeverinë për përplasjet në disa KZAZ të vendit. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Paloka tha se Kryeministri ka planifikuar konflikt civil mes qytetarëve, duke theksuar se ai është vetë pengesa përse vendi nuk po kthehet në normalitet, transmeton Klan.
Edi Paloka ka akuzuar edhe ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj për arrestimet e kryera sot në KZAZ-të që u sulmuan nga qytetarë e mbështetës të Partisë Demokratike.
“Edi Rama dhe banda e tij në paligjshmëri të plotë po arrestojnë qytetarë për arsyen se ata po zbatojnë ligjin. Ky ligj është botuar në Fletoren Zyrtare nga vetë qeveria. Duke përdorur mjete represive të goditjes së qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë, Edi Rama po mbron karrigen e blerë. Kjo është arsyeja pse Edi Rama dhe Sandër Lleshaj po e përdorin sot policinë si bandë kundër popullit. Krim kryen kushdo që refuzon apo ndalon zbatimin e ligjit, në rastin konkret Edi Rama, Sandër Lleshaj dhe policët që sillen si banditë me uniformë. Qytetarët duhet ta dinë se çdo akt dhe thirrje për 30 Qershorin e Edi Ramës është antikushtetues dhe i paligjshëm. Edi Rama është i vetmi rrezik për vendin. Ai ka planifikuar përplasje dhe konflikt civil në Shqipëri me të njëjtën gjakftohtësi kriminale siç planifikoi vjedhjen e votave. Edi Rama është i zhytur në krime elektorale. Edi Rama është pengesa e vetme pse Shqipëria nuk po kthehet në normalitet”, u shpreh Edi Paloka.
Ish-deputeti demokrat ftoi qytetarët të marrin pjesë në protestën e opozitës ditën e premte më 21 Qershor.