Basha: Shkarkimi i Presidentit, bllof i Ramës

Në një deklaratë nga selia blu, Lulzim Basha tha se “nuk do të ketë zgjedhje lokale më 30 Qershor dhe askush nuk do ta shkarkojë Presidentin e Republikës”, transmeton Klan.

Sipas kreut të PD “Edi Rama po përpiqet të bombardojë opinionin publik me dy përbetime, që ai as nuk i mban dot, dhe as nuk ka interes t’i provojë: Ai po përbetohet se do t’i mbajë zgjedhjet edhe pa dekret presidencial, edhe pa pjesëmarrje politike. Ai po përbetohet gjithashtu se do të nisë procedurat për shkarkimin e Presidentit. Janë të dyja bllofe dhe zhurmë me qëllim shpërqendrimin e vëmendjes tuaj. Edi Rama nuk do që të flitet për krimin, drogën dhe vjedhjet e tij të përditshme. Ai nuk do që të flitet për Avdylajt dhe Dakot, për Çyrbet dhe Shullazët, për Gjiknurët, Manjat dhe Lalët.”

Basha kishte edhe një pyetje për socialistët: Kush do ta gjykojë dhe shkarkojë Presidentin?

“Kush do ta gjykojë dhe shkarkojë Presidentin? Ilir Ndrazhi përfaqësuesi politik i bandës së Avydylajve apo Jurgis Çyrbja, përfaqësuesi politik i bandës së Shullazit, Rrahman Rrahja apo Luan Harusha përfaqësuesi i bandës së Bajrave, apo Reme Lala, përfaqësuesja e familjes kriminale Lala? Kush do ta gjykojë dhe shkarkojë Presidentin, Damian Gjiknuri që donte të pastronte 30 milonë euro për llogari të Edi Ramës, duke fallsifikuar edhe dokumentat zyrtare të qeverisë amerikane? Apo Arben Ahmetaj përfaqësuesi i një klani mafioz ndërkombëtar të plehrave? Apo Taulanti i Begos dhe i Toyota Yaris?”

Duke u ndalur tek dekreti i Presidentit për anulimin e mbajtjes së zgjedhjeve lokale më 30 Qershor, Basha tha se ky vendim i shërben opinionit publik dhe se e mbështet atë. Megjithatë kreu i PD u shpreh se fjala i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese, mosfunksionimin e së cilës ia faturoi Kryeministrit.

“Nuk më takon as mua të gjykoj vendimin e Presidentit, ndonëse e mbështes plotësisht. Politikisht unë mund të them që zgjedhjet moniste nuk janë zgjedhje. Politikisht unë mund të them se vendimi kushtetues dhe i përgjegjshëm i Presidentit i shërben njerëzve dhe interesit publik. Përtej çdo mendimi individual, ka një dhe vetëm një institucion që mund të shprehet: Gjykata Kushtetuese. Këtë Gjykatë e ka shkatërruar me krenari dhe mburrje Edi Rama, sikurse ka shkatërruar edhe Gjykatën e Lartë, dhe ajo sot nuk mund të shprehet”.

Në fund, Basha tha se beteja e opozitës për Shqipërinë si gjithë Europa vazhdon me vendosmëri. “Asnjë hap pas, deri në triumfin e demokracisë mbi narkoshtetin”, theksoi ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button