Shishja e birrës, propaganda dhe fundi i një federate

“Përherë do të mbetesh në kujtesë si martir dhe viktimë e përjetshme e popullit serb”. Ky mbishkrim gjendet mbi varrin e nëpunësit ushtarak, Gjorgje Martinoviqit, nga Gjilani, i cili vdiq në vitin 2000.

Vepra e tij prej “martiri” kishte ndodhur në vitin 1985, kur gjatë vetëkënaqjes epshore ishte lënduar me një shishe birre.

“Martiri” e pranoi të vërtetën, por me “rekomandimin” e nacionalistëve serbë e ndryshoi deklaratën.

Gazeta “Politika” dhe RTS propaganduan se ai ishte torturuar prej shqiptarëve, “që donin t’ia merrnin pronën dhe ta dëbonin nga Kosova”.

Edhe pse ekspertiza mjeko – ligjore dëshmoi se ndaj tij nuk ishte ushtruar dhunë, pushteti serb e kishte projektuar Martinoviqin si “metaforë e vuajtjes së serbëve në Kosovë”.

Zhurma mediale e trazoi edhe shefin e shërbimit të fshehtë jugosllav, Stane Dollancin. Ai e hodhi poshtë versionin e dhunimit dhe tha se “Gjorgje ishte një samuraj serb, që kishte bërë harakiri”.

Pushteti serb kërkoi ekspertizë të re mjeko – ligjore. Mjeku slloven, Janez Malçinski, tha se “martiri” ishte vetëlënduar. Politikanët serbë kërkuan ekspertizë të re, këtë herë në Londër, sepse donin, me çdo kusht, ta “vërtetonin” konstatimin e tyre.

Ndërkohë propaganda kaloi nga gazetat në art. Piktori akademik, nacionalisti Miqa Popoviq, e krijoi pikturën “Kryqëzimi i Gjorgje Martinoviqit”, një imitim i thatë i pikturës “Martirizimi i Shën Filipit” (1639) nga piktori José de Riber.

Në pikturën e Popoviqit si dhunues paraqiten njerëzit me plisa të bardhë, pra shqiptarët, ndërkaq policia (ajo kosovare) vetëm e vëzhgon aktin.

Paraqitja e këtillë e policisë kosovare synonte që të “dëshmonte” se Kosova më nuk ishte vetëm krahinë, por një shtet që nuk e njihte autoritetin e Serbisë dhe Jugosllavisë.

Propaganda u shtri edhe në kinematografi, kur regjisori Milorad Bajiqi xhiroi dy filma dokumentarë: “Frika nga e vërteta” dhe “Akuzojmë”.

Propagandës iu bashkëngjitën edhe poetët. Akademiku nacionalist, Milan Komneniq, e botoi antologjinë me tematikë kombëtare: “Kosova 1389 – 1989”, ku u përfshi poezia për Martinoviqin.

Akademikët përpiluan “Memorandumin” famëkeq (1986), ku “rasti Martinoviq” krahasohet me “dhunën e paparë, që na kujton kohërat më të errëta të shtypjes turke”.

Gjithë kjo propagandë për ta përligjur gjenocidin, që Serbia do të bënte më vonë.

Menjëherë më pas Kosovës iu hoq autonomia me forca policore. Heqja e autonomisë i thelloi antagonizmat në shtetin jugosllav, i cili u dekompozua dhe u bë pjesë e historisë, kurse Serbia, që bëri krime të tmerrshme, vazhdon të prodhojë rrëfime me shishe birre, që sërish lexohen në Serbi. Ajo përherë akuzon të tjerët për gjërat e liga që i bën vetë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button