Vetëvendosje akuzon RTK-në për abuzime milionash

Vetëvendosje kërkon ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar i cili duhet të shqyrtonte çështjen e menaxhimit të buxhetit nga RTK, ndërsa i kërkon bordit të drejtorëve që të sjellin në Kuvend urgjentisht një raport të saktë në lidhje me situatën financiare të RTK-së. Konkretisht, në kuadër të deklarimeve jashtë rendit të ditës në mbledhjen e sotshme të Kuvendit të Kosovës, deputetja Alma Lama akuzoi drejtuesit e RTK për abuzime financiare dhe kërkoi që Agjencia Antikorrupsion, Auditori i përgjithshëm dhe prokuroria “të merren sa më parë me këtë çështje”

Deputetja Lama , duke iu referuar një materiali që ka arritur në adresat e redaksive të mediave “për keqpërdorime të jashtëzakonshme në këtë institucion”, tha se “nuk bëhet fjalë për disa qindra euro por për miliona”.

“Në këto dokumente janë faksimilet e transferëve të parave të bëra nëpërmjet bankës, që atakojnë menaxhmentin e RTK-së dhe pjesë të tjera të stafit, dhe në rast se këto dëshmi provohen nga institucionet kompetente si të vërteta, Radiotelevizioni publik do të jetë në krye të listës së institucioneve më të korruptuara në Kosovë”, tha deputetja Lama.

Dëshmitë, shtoi ajo, flasin për seriale pa ndonjë vlerë që janë paguar më shumë se 20 mijë euro për seri, e të cilat nuk i janë nënshtruar ndonjë konkursi publik kur janë kontraktuar. Favorizimi i një grupi është i dënueshëm pasi dëmton konkurrencën e vlerave në treg.

“ Këto shpërdorime e kanë futur RTK në një borxh prej 2.7 milionë eurosh. Kjo është shifra që pranohet zyrtarisht edhe nga menaxhmenti. Shkelja e ligjit për hapësirën reklamuese është një çështje tjetër. Këto të dhëna nuk janë paraqitur me hollësi në raportin vjetor për vitin 2011 që i është dorëzuar Kuvendit, e i cili nuk është miratuar, pasi janë kërkuar të dhëna shtesë. Kjo do të thotë se RTK ka fshehur edhe të dhënat.

Unë do t’ua dërgoj në postën elektronike të gjithë deputetëve materialet në mënyrë që secili të bëjë krahasimin e të dhënave dhe unë ju inkurajoj që të thoni të vërtetën e jo të frikësoheni se nuk ju jep më pas hapësirë RTK”, tha ajo.

Lajme të ngjashme

Back to top button