UEJL dhe USHT mirëpritën brucoshët

Sot ka filluar viti akademik për gjeneratën e 11-të  studentëve të Universitetit të Evropës juglindore. Në një ceremoni solemne para të gjithë studentëve të rinj rektori i UEJL Zamir Dika i përshëndeti brucoshët që  kanë zgjedhur këtë universitet për të pasuruar dijen e tyre. 

“UEJL i plotëson të gjitha kushtet dhe kuadrot të cilat janë paraparë me sistemin e Bolonjës. Qyteza universitare në Tetovë është ndërtuar në vitin 2001 sipas parimit gjithçka në një vend, duke mundësuar interaksion gjithëpërfshirës midis studentëve të të gjitha disiplinave të studimit” tha Dika.

Qyteza universitare ngërthen në vete hapësira të gjelbëruara dhe objekte akomodimi, përfshirë katër amfiteatro të mëdhenj me kapacitet për 200 deri në 500 studentë, më shumë se 30 klasa me kapacitet prej 30 deri 60 studentë, dy qendra kompjuterike bashkëkohore me më shumë se 650 kompjuterë, librari, konvikte për banim dhe një numër të madh të fushave për rekreacion.

Njëkohësisht edhe Universiteti Shtetëror i Tetovës sot me një ceremoni solemne në të cilën ishte i pranishëm dhe zv/ministri i arsimit Safet Neziri ka mirëpritur studentët e rinj. Rektori i USHT Vullnet Ameti tha se këtë vit fillon puna me shpresa të reja se USHT do të jetë alternativë për të gjithë.

“Këtë vit akademik do ta fillojmë së bashku me Ju dhe mësimdhënësit Tuaj, me shpresa të reja se ky Universitetet, si institucion i vetëm publik dhe i integruar  në gjuhën shqipe, është dhe do jetë alternativa më e sigurt  edhe e brezave që do të vijnë.  Universiteti ynë Ju garanton studime më të lira, më cilësore dhe diploma të pranuara edhe jashtë vendit, ku mund t’i vazhdoni studimet e mëtejme, ose inkuadroheni në punë sipas kualifikimit dhe përgatitjes suaj profesionale të këtë Universitet. Studimet që do të ndiqni në Universitetin Shtetëror të Tetovës, zhvillohen sipas standardeve më bashkëkohore sipas Procesit të Bolonjës dhe Sistemit Evropian të Transferit të Kredive” tha Ameti.

Ndërkaq Neziri tha se përcaktimi i studentëve për të ndjekur rrugën e edukimit dhe arsimimit e forcon besimin se e ardhmja e kombit tonë do të jetë më e ndritur.

“Jo vetëm këtë por neve si drejtues institucionesh na obligon që të vijojmë përpjekjet dhe angazhimin tonë të përbashkët për t’Ju siguruar kushte më të mira, të përshtatshme për të ndjekur procesin mësimor-shkencor.Në këtë drejtim, Ministria e Arsimit dhe Shkencës  e Republikës së Maqedonisë në koordinim të plotë me udhëheqësinë e Universitetit Shtetëror të Tetovës, synojmë realizimin e objektivave tona në më shumë projekte, si ofrimi i literaturës shkencore  për fakultete të ndryshme, specializimin e kuadrit akademik dhe motivimin e tij për të ndjekur fushën e kërkimeve dhe zbulimeve shkencore, si dhe përfundimin e projektove të  ndryshme infrastrukturore” tha Neziri. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button