Thaçi nuk ka ofruar dëshminë për dëbimin e shtetasve turq

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ia ofroi dëshminë e tij Komisionit Hetimor Parlamentar për dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova, pasi, siç tha, Komisioni ka bërë shkelje të mëdha ligjore në punën e tij, transmeton REL. 

Thaçi tha se shkeljet më të mëdha janë bërë me angazhimin e një eksperti ndërkombëtar për përpilimin e një raporti final, në lidhje me këtë rast.

Thaçi tha se vetë Komisioni duhet të hetohet për shkeljen e ligjit.

“Pyetja ime është shumë legjitime për angazhimin e ekspertit. A ka marrë dikush ndonjë vlerësim, ndonjë komision ligjor ose zyrë ligjore për këtë person”, pyeti Thaçi.

Kryetari i Komisionit Hetimor, Xhelal Sveqla, tha se eksperti është propozuar nga anëtarët e komisionit dhe se të gjithë kanë votuar për angazhimin e tij.

Sveqla po ashtu tha se kontrata e ekspertit ka kaluar nëpër të gjitha organet e Kuvendit.

Ai tha se eksperti ka një shkollim adekuat dhe se ka qenë i angazhuar në institucionin e Avokatit të Popullit dhe se vazhdon të jetë i angazhuar aty.

Nisur nga këto mosmarrëveshje, takimi përfundoi pa dëshminë e presidentit.

Deputetët opozitarë në Komision e akuzuan Thaçin se nuk është i gatshëm të dëshmojë.

Komisioni Hetimor Parlamentar ka identifikuar 31 shkelje ligjore gjatë procesit të arrestimit dhe dëbimit nga Kosova të 6 shtetasve turq, në mars të vitit 2018.

Dëbimi i tyre është thënë se është bërë përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova.

Por, deputetët, presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës patën thënë se nuk kanë pasur njohuri lidhur me rastin.

Për gjashtë shtetasit turq, Ankaraja dyshon se janë anëtarë të organizatës “Hizmet”, të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen. Këtë të fundit, autoritetet turke e fajësojnë për një përpjekje për grushtshtet në Turqi në vitin 2016.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button