Në çfarë martese është koalicioni?

Akademia e shkencave dhe arteve të Maqedonisë (ASHAM) nuk kishte të drejtë. Edhe pse ASHAM-it, gati për çdo vit i ndodh diçka, këtu mendohet për vitin 2001. Parasëgjithash, për paraqitjen e atëhershme në publik të anëtarit apo kryetarit atë vit, i cili doli ta mbronte atë hartën e kobshme për ndarjen e Maqedonisë. Unë, personalisht, që nga atëherë mendoj se nuk ka as edhe A nga akademia në këtë institucion, por edhe prisja që do të paraqitet ndonjë opsion maqedonas, i cili, në qoftë se nuk kërkon abrogim të tërësishëm të saj, së paku ta ndalojë përdorimin e shkronjës M në shkurtesën e saj. Por, nejse. Vazhdojmë të ekzistojmë, edhe ne, edhe ajo dhe me siguri do të ketë ende ditë, për të kryer edhe kjo punë.

Atëherë, “mëkati vdekjeprurës” i ASHAM-it ishte jo vetëm në atë që e propozonte, por edhe në krahasimin të cilin e bënë me atë rast. Gjegjësisht, ata referonin në mbijetesë të përbashkët mes dy kombeve, duke e krahasuar këtë gjë me martesën. Ky ishte krahasimi më i keq i mundshëm. Shkaku se populli është një kategori mbigjinore. Kështu, kur për herë të parë u përmend martesa, me siguri që nga të dy kombet e përmendura aty, menjëherë janë pyetur: prit pak, kush është gruaja këtu? Kjo parasëgjithash për shkak të faktit se në shoqëritë tradicionale si kjo e jona, kurora nënkuptohet vetëm si një institucion mes dy gjinive, ndërsa për shkak të prezencës së maçoizmit, vazhdon të jetë shumë e rëndësishme ajo se: kush, kë e punon?

Që atëherë diskutonim me një mik, i cili parashikonte se ASHAM-i, për disa vite do të shndërrohet në floktore, se ka vetëm dy shpjegime për një krahasim të tillë të gabueshëm. Ose ajo se ata në ASHAM janë pararendës të ndonjë evropianizimi dhe kështu ata e kanë ditur se martesa do të mund të definohet edhe si një bashkësi e cila, sipas asaj, nuk do jetë domosdoshmërisht e definuar si bashkësi mes dy gjinive, ose se aq shumë janë në ajër, sa që kanë harruar se në martesë ka edhe aktivitete tjera përveç; përgatitjes së përbashkët të ajvarit!

Mundësia e parë ra kur ata publikuan diçka të cilën, ata e quajtën “enciklopedi”. Edhe për shkak se në këtë vepër ata harruan ta përpunojnë argumentin më të rëndësishëm për atë se Maqedonia është Prima Evropa: fabrikën e çokollatave Evropa! Ashtu humbi opsioni që ata të kishin kuptuar diçka për evropianizimin. Ju ka mbetur vetëm tjetra: përkujtomë, çka ishte dashuria? (Oliver Dragojeviç).

Por, përse tani ta përkujtojmë ASHAM-in, përveç për atë se ajo hartë është një ndër mëkatet më të mëdha institucionale, që është bërë ndonjëherë, në këtë shtet? Kjo për shkak të faktit se tani po i ndjek argumentimet e gabuara të njërit ndër më të prekurve nga vazhdimi i koalicionit dhe qeverisë së tanishme: zv/kryeministri për implementimin e një dokumenti i cili, sipas tij, 95 për qind veç më është zbatuar. Ky njeri, i cili, po të ishte mjek, tani do të duhej të merrte vetëm 5% të rrogës mujore, është thjeshtë qesharak me argumentet e tij. Së pari fliste për dhe në emër të shqiptarëve, edhe pse, ai vetë asnjëherë i votuar, por edhe partia e tij që moti është nën nivelin e lejuar të legjitimitetit politik, me 13 deri në 14% të votave të shqiptarëve. Të gjitha të dhënat e votimeve treguan se ekziston mospërfaqësim politik kuantitativ të shqiptarëve, por një analizë më e thellë do të tregonte se ka edhe mospërfaqësim cilësor dhe tematik. Pastaj, ky i njëjti përmendi edhe ndryshim të Kushtetutës, duke harruar se si herën e fundit erdhi deri te ndryshimi i Kushtetutës. Dhe tani porosit se, përveç asaj se nuk duhet të ketë ndryshime kushtetuese, nuk duhet të mbahen as zgjedhje, pasi që ato në Ballkan kanë ditur të jenë edhe të përgjakshme! 

Vazhdon të mbetet enigmë se prej ku ky njeri, asnjëherë për asgjë i votuar, e merr të drejtën të frikësojë, të kërcënojë, të kushtëzojë dhe të flasë fjalë aq të mëdha e serioze? Ashtu siç është enigmë edhe ajo se pse shkoi në SHBA në muajin shtator kur seanca  gjyqësore për MagyarTelekom është caktuar për në tetor të këtij viti? Në opinionin shqiptar dihet se kjo nuk është diçka shqiptare edhe për shkak të mësimit nga fabula me dhelprën të cilës i digjet bishti, e ajo mendon se po digjet e tërë bota! 

Unë i ndjek të gjitha këto manovra edhe për shkak të faktit se pres se a do të përmendet krahasimi me martesë për koalicionin e tanishëm qeverisës, dhe kur. Kështu siç po e zgjasin, vetëm pres kur të lajmërojnë se edhe myslimanët edhe të krishterët ortodoks në këtë koalicion kanë hyrë në një “martesë katolike”! Edhe pse kjo duket se do jetë ndonjë lloj i ri modern i martesës mbigjinore. Në të cilën, ata, edhe pse duan të tregojnë se për shkak të fëmijëve vazhdojnë të jenë pjesë e një martese të ngecur, asnjëri prej tyre nuk ka anën e vet të jastëkut, por në mënyrë të ujdisur i kryejnë të gjitha detyrat e shtëpisë të martesës. Duke filluar nga tenderët për blerjen e specave për ajvar, e deri te punët më të rregullta të natës dhe të pasdites!

Mund të ndodh që dikush nga ata, me qëllim që ta mbulojë atë, të lëshojë mjekër dhe të shkruajë diçka për retroseksualizmin, por ajo që çdo njeri që është me të vërtetë edhe modern dhe tradicional, këtu te ne, u kishte thënë shoqërimeve të këtilla interseksuale, është  vetëm një gjë: largojini duart nga fëmijët, kjo me shkollat nuk ju bën. Nëse cilido prej jush është “mashkull” në lidhje, le të bëjë regjistrim të popullatës ose zgjedhje. Fëmijët mos na i prekni!

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button