MPB dy muaj e gjysmë s’mundet të konstatojë nëse i punësuari i tyre ka shpërndarë lajme të rrejshme

Ministria e Punëve të Brendshme edhe pas dy muaj e gjysmë analiza, nuk mundet të konstatojë nëse i punësuari i tyre, Viktor Kolevski, ka qenë ose jo pjesë e rrjetit të Maqedonisë që kanë shpërndarë lajme të rrejshme të mbushura me gjuhë të urrejtjes kundër emigrantëve dhe myslimanëve, shkruan Portalb.mk.

Redaksia jonë disa herë ka kërkuar nga autoritet policore që të na tregojnë se nëse i punësuari i tyre Kolevski ka qenë pjesë e rrjetit të lajmeve të rrejshme që i zbuloi hulumtuesi belg  Martin Shenk, në janar të këtij viti, megjithatë të njëjtit vazhdimisht na janë deklaruar se po punohet në atë drejtim dhe nëse do të ketë diçka, do të informohet opinioni.

“Sektori për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale po kryen analiza për informatat të cilat janë ndarë dhe nëse konstatohen elemente për kryerjen e ndonjë vepre penale, në pajtueshmëri me Kodin Penal të Republikës së Maqedonisë për të njëjtën do të njoftohet prokurori publik i Maqedonisë, gjegjësisht do të ndërmerren masa shtesë. Gjithashtu, nëse konstatohet se ka shkelje të ligjeve nga ana e ndonjë të punësuarit në MPB, kundër tij do të ndërmerren masa përkatëse”, thanë nga MPB më 22 janar.

Portalb.mk edhe sot ka dërguar kërkesë për informatë në lidhje me të njëjtën çështje, por deri në publikimin e këtij shkrimi ende nuk na është dorëzuar përgjigje.

Për rastin e njëjtë janë akuzuar edhe dy pjesëtarë të Armatës së Maqedonisë së Veriut dhe për dallim nga MPB, ARM-ja tanimë, i ka ndëshkuar, gjegjësisht të njëjtëve ua ka marrë disa “autorizime të caktuara”.

“Njëri pjesëtar është tërhequr prej misionit në Bosnje e Hercegovinë, ku ka qenë deri tani. Janë ndërmarrë hapa për revokimin autorizimeve të caktuara të cilat i ka ai si dhe për autorizime të cilat i ka ushtari, ndërsa për masa tjera do të flasim pas përfundimit të procedurës hetimore, ku duhet të përfundojnë afatet për ankesë”, thanë nga Shtatmadhoria e ARM-së.

Si u zbulua rrjeti i lajmeve të rrejshme

Marten Shenk, “Gjuetar i lajmeve të rrejshme” nga Belgjika, ka arritur të zbulojë një rrjet nga Maqedonia që ka shpërndarë lajme të rrejshme. Sipas hulumtuesit, këtë rrjet e ka udhëhequr një ushtar i Armatës së Maqedonisë së Veriut, Slagjan “Cago” Bojkovski nga Kumanova.

Hulumtimet e belgut zbulojnë se rrjeti i Bojkovskit, tashmë disa vite  ka krijuar përmbajtje të rreme dhe bombastike në internet, të cilat kanë filluar me storje për motorë dhe me gjinj të zhveshur, por kjo nuk iu kishte sjellë mjaft para, sqaron Shenk. Prandaj, së shpejti, Bojkovski dhe bashkëpunëtorët e tij u janë kthyer storjeve kundër myslimanëve dhe teorive të ndryshme të konspiracionit, për pedofili dhe, natyrisht, në favor të Donald Trump. Me një lajm të rremë ata kanë fituar rreth njëqind euro në ditë .

e Bojkovskin ka punuar edhe bashkëshortja e tij, Natasha, imazhi i së cilës mund të gjendet në profilet e rreme në Tuiter sikur i takon “Moly Anderson”, siç tregojnë print-skrinet e Shenkut. Nëpërmjet programit të tij, belgu ia ka dalë të gjejë dhjetëra profile që kanë shpërndarë lajmet e njëjta të rreme në internet, në të njëjtën kohë. Emrat e profileve të rreme zakonisht janë emra amerikanë si Xhesika, Ema, ​​Moly, Xhoni dhe shumica e tyre tashmë janë pezulluar. Janë pezulluar edhe ueb faqet në të cilat janë publikuan lajmet e rreme, si tapainfo.com ose tvrtinfo.com. Fotografitë që janë përdorur në profile kanë qenë kryesisht të yjeve të Ballkanit si Stanija Dobroeviq ose Viktorija Lloba.

Me Bojkovskin kanë bashkëpunuar edhe miqtë e tij nga KumanovaToni dhe Mirjana Risteski, të cilët e kanë pasur një ueb faqe të quajtur unishareneës.com, të regjistruar nën emrin e Tonit, linqet e të cilit janë publikuar në faqet e Fejsbukut për mbështetje të Donald Trump. Një tjetër bashkëpunëtor i Bojkovskit, sipas hulumtimit, ka qenë Viktor Kolevski, në Linkedin llogarinë e të cilit qëndron se është inspektor i policisë. Shenk ka rënë në kontakt me kumanovarin, i cili ka thënë se nuk punon më për policinë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button