Benzema shpëtoi Realin, Zidane Jr. titullar
Një gol i vonë i francezit Benzema shpëton “nderin” e Realit të Madridit, në ndeshjen e dytë të Zinedine Zidane që prej rikthimit të tij në krye të ekipit “Los Blancos”, e për më tepër në “Bernabeu”, teksa përballë kishin ekipin e fundit në renditje, Huesca.
Ishte pikërisht ekipi mik, tejet modest përballë madhështisë së emrave të ekipit merengues dhe me vetëm 22 pikë në 29 javë të La Ligës spanjolle, që befasoi të pranishmit në stadium me një gol të shpejtë pas vetëm 3 minutash lojë, transmeton Top Channel.
Madrilenët, gjithsesi do të riktheheshin shumë shpejt dhe do të gjenin golin e barazpeshës me anë të Iscos në minutën e 25-të, por jo më shumë se kaq në 45-minutëshin e parë të takimit. Në pjesën e dytë, Zidane duket se ua rifreskoi idetë e tij të besuarve të tij, mes të cilëve edhe të birit Lucas Zidane që zbriti titullar në katërkëndëshin madrilen, dhe kur kaloi pak më shumë se një orë lojë, “Los Blancos”-it do të festonin golin e avantazhit me autor Dani Ceballos.
Por, gëzimi nuk do të zgjaste shumë dhe pasardhësi i francezit në pankinë, i cili nuk mishëron aftësitë e të atit, por luan në një pozicion krejt të ndryshëm me të, më pasiv në lojë, do të ndëshkohej sërish nga Huesca në minutën e 74-t. Gjithçka mbetej e hapur dhe kishte mjaftueshëm kohë, që “galaktikët” të rikthenin gjërat në favorin e tyre. Por, sa më shumë kalonte koha, aq më shumë ndihej presioni dhe lojtarët nuk po ia dilnin, deri në minutën e 89, atëherë kur Benzema do të përfitonte nga një asist i Marcelos për të tronditur miqtë dhe për të lumturuar madrilenët e shumtë në “Bernabeu”.
Me këtë fitore, Reali mbetet ende 12 pikë larg Barcelonës, e po dy pikë larg rivalëve të qytetit, Atleticos, në vendin e tretë, duke mos “ia dorëzuar” titullin kaq shpejt katalanasve.