Liga Arabe pritet ta kundërshtojë vendimin e SHBA-së mbi Rrafshnaltën e Golanit

Burrështetasit arabë pritet të mblidhen sot në një samit, për të kundërshtuar vendimin e Shteteve të Bashkuara, për të njohur sovranitetin e Izraelit mbi Rrafshnaltën e Golanit.

Forcat izraelite e kishin pushtuar këtë rajon nga Siria gjatë Luftës Gjashtëditëshe të vitit 1967, transmeton REL.

Më 1981, Izraeli vendosi ligjet e veta në rajon, duke e aneksuar atë – një vendim ky që nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar.

Disa aleatë të SHBA-së në rajon, përfshirë Arabinë Saudite, kanë kritikuar vendimin e Uashingtonit mbi Rrafshnaltën e Golanit, duke paralajmëruar se kjo do të ketë ndikim në stabilitetin rajonal.

Në samitin njëditor të Ligës Arabe, që mbahet sot në Tunizi, pritet të bëhet thirrje që vendimi i presidentit amerikan, Donald Trump të bëhet “i pavlefshëm”, thuhet në draftin e deklaratës përfundimtare të këtij samiti.

“Golani është një tokë siriane e okupuar, sipas ligjit ndërkombëtar dhe rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, tha gjatë kësaj jave, kreu i Ligës Arabe, Ahmed Abdul Gheit.

“Çdo vendim nga cilido shtet që bie në kundërshtim me këtë fakt, nuk ka vlefshmëri ligjore”, tha ai.

Vendimi i Trumpit lidhur me Rrafshnaltën Golan, vjen pasi vitin e kaluar, SHBA-ja zhvendosi ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem, gjë që shkaktoi zemërim në rajon.

Siria është suspenduar nga Liga Arabe që prej vitit 2011, pas shtypjes së protestave, që nxitën fillimin e luftës civile.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button