Rikthehet pasiguria financiare në Turqi
Tregjet financiare në Turqi kanë përjetuar një periudhë të re trazirash, duke e vënë daljen e vendit nga recesioni në rrezik, e duke ngritur pikëpyetje të reja për gjendjen e tregjeve në zhvillim, në një kohë kur ekonomia botërore në tërësi po ngadalësohet, transmeton REL.
Bursa në Turqi është mbyllur me rënie prej 5.7 për qind, rënia më e madhe ditore kjo që nga korriku i vitit 2016. Problemet më të fundit vijnë ndërsa Erdogan, i angazhuar në fushatë elektorale për zgjedhjet lokale në vend, premtoi se do të luftojë spekuluesit.
Ekonomia e vendit mbetet e dobët dhe nuk e ka marrë ende veten nga problemet e verës së shkuar. Turqia hyri në recesion gjysmën e dytë të vitit të shkuar, me Bankën Qendrore që u detyrua të rriste normën e interesit në 24 për qind, për të mbajtur në këmbë lirën.
Kjo i dha fund 18 viteve rritje nën drejtimin e Erdoganit. GDP-ja ra me 2.4 për qind në tremujorin e katërt, pas një rënieje prej 1.6 për qind në tremujorin e tretë.