Në RMV urgjentisht duhet të formohet Komision për licencim në gjuhën shqipe

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV) është e domosdoshme të formohet Komision për licencim të lektorëve të gjuhës shqipe, para përzgjedhjes së kuadrit të plotë të Agjencisë për zbatim të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, gjegjësisht të gjuhës shqipe. Lektorët do të duhet t’i japin fund praktikës së turpshme të bastardimit të gjuhës shqipe nëpër tabela të institucioneve dhe zbatimin më të gjërë në këtë shtet, transmeton Portalb.mk

Bastardimi i gjuhës shqipe
Bastardimi i gjuhës shqipe

Është bërë praktikë e shëmtuar në Maqedoninë e Veriut të shohim tabelat e institucioneve, rrugëve dhe më gjërë, me gabime trashanike në gjuhën shqipe. Mbishkrimet vendosen pa lekturë dhe pa kontroll profesional sepse në Maqedoninë e Veriut nuk ka lektorë të licencuar të gjuhës shqipe.
Për të pasur lektorë, duhet të ekzistojë Komisioni për licencim të tyre. Sa për ilustrim, ekziston Komision për licencim të lektorëve të gjuhës maqedonase i cili në bazë të Ligjit për gjuhën maqedonase, formohet nga Ministria e Kulturës, dhe në përbërje ka kryetarin dhe katër anëtarë, “persona profesional të kësaj fushe, me mandat prej katër vjetësh, me mundësi rizgjedhjeje”. Obligim i Komisionit është të realizojë testim për licencim të lektorëve në gjuhën maqedonase.

Ndryshimet e reja ligjore, mundësi për lektorë profesionalë

Në Ligjin për përdorimin e gjuhëve në nenin 18, paragrafi 3, thuhet se në Agjencinë për zbatim të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, krahas përkthyesve të autorizuar gjyqësorë do të punësohen edhe linguistë dhe filologë të diplomuar të gjuhës shqipe, si dhe lektorë të licencuar.

Avzi Mustafa
Avzi Mustafa

Profesori universitar i gjuhës shqipe në pension, Avzi Mustafa për Portalb.mk thotë se si profesor i sferës, ka kërkuar të formohet Komisioni që do t’i licencojë këto lektorë të kërkuar në këtë Agjenci.

“Meqë tani po formohet Agjencia me mekanizmat për lekturim dhe përkthim dhe mekanizmat për inspektim kemi kërkuar që të formohet Komisioni, pasi për licencimin e lektorëve, përveç për gjuhën maqedonase, të tjerët nuk përfshihen”, tha ai.

Ende nuk dihet kur dhe si do të formohet Komisioni

Formimi i Komisionit është diskutuar në grupin ndër-resor të Qeverisë së RMV-së, por ende nuk është vendosur se si do të formohet i njëjti. Ka dy variante: Të ketë ndryshim të Ligjit për përdorim të gjuhëve dhe në të parashihet edhe formimi i Komisionit; kryetarit, anëtarëve, mandati dhe kompetencat dhe përgjegjësitë, ose Komisioni të formohet në kuadër të ndonjë Universiteti apo Ministrie.

Takimi Sela - Osmani dhe grupi ndërresor për zbatim të Ligjit për përdorimin e gjuhëve
Takimi Sela – Osmani dhe grupi ndërresor për zbatim të Ligjit për përdorimin e gjuhëve

Rasti i parë do të sillte funksionim të Komisionit në mënyrë më transparente dhe me përgjegjësi të definuara sipas Ligjit, ndërkaq i dyti nuk do të barte përgjegjësinë se si dhe kush do ta kryente licencimin.

“Do ta shqyrtojmë këtë çështje, dhe do të vendosim se si do të formohet ai komision”, tha udhëheqësi i grupit ndërresor për zbatim të Ligjit për përdorimin e gjuhëve (gjuhës shqipe), Tahir Hani.

Ylber Sela

Ndryshe nga Hani, drejtori i Agjencisë së Gjuhës Shqipe, Ylber Sela ka kërkuar që Komisioni të jetë në kuadër të Agjencisë.

“E kemi diskutuar çështjen e Komisionit. Është si ide formimi i tij. Në momentin që do ta bëj ekipin, do të shohim edhe mënyrat e themelimit, a do të jetë sikurse e kanë pala maqedonase, në kuadër të ministrisë, apo do ta marrë agjencia. E kemi folur me profesorët, dhe do të shohim mundësitë. Ende merremi me punë teknike, nuk kemi ardhur te kjo fazë. Unë me rëndësi e kam ta formoj ekipin, pastaj Komisioni është çështje dytësore. Askush nuk ka folur deri tash për Komisionin. Në fillim do të pranojmë gjuhëtar pa licencë, pastaj do ta shohim se si do ta organizojmë këtë çështje”, tha Sela.

Si do të funksiononte Komisioni nëse do të ishte në kuadër të Agjencisë?

Profesori Mustafa tha se Komisioni mund të formohet edhe në kuadër të Agjencisë, por i njëjti duhet të ketë në përbërje profesorë të katedrës së gjuhës shqipe, dhe varësisht, edhe pjesëtarë të ministrive të caktuara.

“Duhet të ketë anëtarë nga katedra e gjuhës shqipe, profesionistë, dhe pjesëtarë nga Ministria e Kulturës dhe Ministrive tjera të përfshira në proces. Nëse Agjencia nuk e ka bërë deri tash, duhet ta kërkojë formimin e Komisionit, ose në të kundërtën do të duhet Ministria e Kulturës ta formojë, në atë mënyrës sikurse i gjuhës maqedonase”, tha Mustafa.

Ndryshe, për nevojën për formim të Komisionit për licencim në gjuhën shqipe, Portalb.mk ka shkruar disa herë si dhe në periudhën kur Ligji për përdorimin e gjuhëve ishte në procedurë kuvendore për miratim. Ekspertët patën rekomanduar që Komisioni të parashihet me dispozitë ligjore, por një gjë e tillë nuk u bë.

Nga ana tjetër, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, në RMV duhet që gjuha shqipe të zbatohet në tabelat e të gjitha institucionet e pushtetit qendror, ndërkaq në nivel lokal do të emërtohen institucionet dhe rrugët vetëm në ato komuna ku shqiptarët janë mbi 20 për qind. Kjo fazë solli raste të bastardimit të ri të gjuhës shqipe.

Ligji solli edhe formimin e Agjencisë e cila do të jetë përgjegjëse për zbatim të gjuhës shqipe, ndërkaq në rrjedhë është formimi i Inspektoratit i cili do të jetë përgjegjës për mbikëqyrje të zbatimit të Ligjit. Agjencia deri tash ka arritur të sigurojë vetëm lokacionin, ndërkaq kuadrin do ta angazhojë pas zgjedhjeve presidenciale, sepse me Kodin Zgjedhor ndalohet hapja e konkurseve për punësim.

Qeveria e RMV-së është duke shqyrtuar tre mënyra të realizimit të përkthimit në gjuhën shqipe.

LEXO: Moskompletimi i Agjencisë, Osmani: Në shqip do të përkthejnë shqiptarët që s’janë përkthyes profesional
LEXO: Ligji për përdorimin e gjuhëve: Për gjashtë muaj institucionet në Maqedoni duhet të flasin në gjuhën shqipe

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button