PSP – zhgënjim ose sukses?

Maqedonia, SHBA, Rumania, Gana – e përbashkëta për krejt këtyre shteteve është që kanë ose kanë pasur prokurorë ose këshilltarë specialë, gjegjësisht persona të cilët hetojnë veprimtari të paligjshme të zyrtarëve të lartë, transmeton REL, përcjell Portalb.mk. 

Shteti jonë Prokurorinë e saj speciale publike e fitoi në vitin 2015, si produkt i krizës politike që u përshkallëzua pas publikimit të të ashtuquajturave bomba nga opozita.

Jam i kënaqur, kemi ligj i cili garanton autonomi të plotë, ndërsa Katica Janeva është prokurore e cila s’ka përkatësi partiake – me këto fjalë kryeministri aktual Zoran Zaev, në shtator të vitit 2015, e atëherë opozitar, e sqaronte për Radion Evropa e Lirë marrëveshjen për ligjin për Prokurorinë speciale publike dhe për përzgjedhjen e prokurores nga Gjevgjelia në krye të ekipit. Kryeministri i atëhershëm Nikolla Gruevski ishte gjithashtu i kënaqur – personi i zgjedhur është profesionist i nivelit të lartë, kishte thënë ai.

Por, disa muaj më vonë, perceptimi i Gruevskit dhe VMRO-DPMNE për prokurorin special publik ndryshuan. Në tetor ai pohonte se nuk do të jenë pengesë në punën e Janevës, por që në dhjetor të vitit 2015 filluan sulmet se ajo ishte dorë e zgjatur e LSDM dhe Zaevit.

Tani mandati i prokurorisë, siç u pajtuan me ligj Zaevi dhe Gruevski pothuajse katër vjet më parë, po përfundon. Mendimet për atë që e kanë punuar Janeva dhe ekipi i saj, mbeten të ndara

A kishte ndonjë mënyrë tjetër?

PSP u formua pas akuzave serioze nga opozita për punën e prokurorit të atëhershëm shtetëror Marko Zvrlevski. Dorëheqja e tij ishte një nga kërkesat kryesore nga LSDM, por pasi nuk u ndërmor një hap i tillë, u vendos për opsionin që të formohet një Prokurori speciale publike. Atë kohë nuk kishte hapësirë për të bërë ndryshime në Prokurorinë republikane publike, vlerëson Natali Petrovska nga Koalicioni Të gjithë për gjykim të drejtë.
“Presion delikat bëhej vazhdimisht edhe nga sektori civil edhe nga opozita e atëhershme dhe nga të gjithë që në ndonjë mënyre ishin të interesuar për sundimin e ligjit. Megjithatë, s’kishte kapacitete, mundësi dhe më e rëndësishmja – s’kishte vullnet, që prokuroria e atëhershme të punojë dhe të veprojë”, thotë Petrovska.

Lënda e parë e ekipit të Katica Janevës ishte Titaniku, për parregullsi në zgjedhjet e vitit 2012, e pastaj vijnë një sërë lëndësh dhe aktgjykimesh. Me konferencat e para për shtyp të treshes së prokuroreve më të ekspozuar në media – Katica Janeva, Lençe Ristoska dhe Fatime Fetai filloi të rritet edhe përkrahja për ta. Sondazhet e opinionit publik në atë periudhë tregonin mbështetje jashtëzakonisht të madhe, ashtu që sipas një hulumtimi nga Instituti Ndërkombëtar Republikan i SHBA në vitin 2016, punën e PSP e mbështetnin madje 63 përqind e qytetarëve. Por një anketë tjetër më e re, që u realizua katër muaj më parë nga QMBN dhe Televizioni Tellma, tregon shkrirje të mbështetjes për këtë institucion. Atëherë 53% e qytetarëve treguan mosbesim ndaj PSP.

Anketa u realizua pas arratisjes së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski në Hungari, pasi shqiptimit të dënimit për rastin e PSP Tanku, për çka një pjesë e qytetarëve fajin e drejtuan edhe kah ekipi i Janevës, i cili nuk kishte kërkuar paraburgim.

Ish-kryetari i Gjykatës Supreme Dane Iliev thotë se për atë periudhë të shkurtër, në të cilën punuan prokurorët e Prokurorisë speciale publike, ata e kishin kryer deri diku detyrën e caktuar me Marrëveshjen e Përzhinos.
“Fakti që këto akuza nuk kanë aktgjykime është se procedura është para gjykatës. Është procedurë e komplikuar, e gjerë, me shumë të pandehur, shumë dëshmi, kështu që përfaqësimin e tyre në Gjykatë unë e shoh si të suksesshëm. Çfarë do qofshin kompetencat e reja që parashihen në projekt-ligj unë jam optimist, por më duhet të them se në Gjykatë duhet të paktën të ketë një njësi speciale e cila do të merret ekskluzivisht me korrupsionin e lartë”, ka sqaruar Iliev.

Petrovska, organizata e së cilës i monitoron të gjitha rastet të cilat i ka iniciuar PSP, në anën tjetër, thotë se aq kanë mundur të bëjnë, duke e pasur parasysh faktin se një vit të mandatit e kanë harxhuar kundër pengesave në punë nga organet shtetërore.

“Megjithatë, për këtë lloj procedurash nuk do të duhej të vendoset afat kohor për funksionimin e një organi të specializuar për ndjekje penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë. Mendoj se periudha kohore e cila ishte e përcaktuar ishte praktikisht shumë e shkurtë që ata të kenë sukses për të dhënë rezultatin të cilin e ka pritur populli”, thotë Petrovska.

E ardhmja e PSP

Sipas ligjit për prokurori, PSP është dashur të ngrejë akuza brenda 18 muajsh nga “dita e pranimit të lëndëve”. Janeva vetë, disa herë ka kërkuar ndërprerje të këtij afati, por kjo nuk ndodhi. Tani partitë janë duke negociuar për ligj të ri për prokurori speciale publike dhe një nga kushtet kryesore të opozitës, për mbështetjen, e cila është e domosdoshme, sepse nevojiten 81 vota të deputetëve, është që me këtë prokurori të mos udhëheqë Janeva dhe ekipi i saj.
“Po, është e vërtetë se jemi kundër Katica Janevës dhe se kësaj përbërjeje të prokurorëve, që pjesë e ekipit të saj, për një arsye të thjeshtë se ata jo vetëm që e humbën kapacitetin njerëzor, por e humbën edhe kapacitetin profesional”, ka deklaruar kreu i VMRO-DPMNE Hristijan Mickoski.
Pikërisht ngecja e këtij ligji në pazarllëkun politik dhe në labirintet parlamentare mund të sjellë edhe frenim të rrugës euro-atlantike të shtetit, thonë analistët. Avokati Aleksandar Tortevski thotë se praktika e deritanishme ka dëshmuar që hapësira për manovrim politik është e madhe dhe se nuk mund të parashikohet se çfarë pazarllëqe mund të bëjnë deputetët në mënyrë që të marrin pjesë në miratimin e zgjidhjeve të reformës.

“Për shembull, është i mundur pazarllëk i heshtur për ngadalësim të procedurave, pazarllëk i heshtur për të mos shqiptuar masa të rënda të sigurisë kundër të akuzuarve, të mos ketë arrestime, lëndët të zvarriten, pazarllëk i heshtur që lëndët të arrijnë në fazë të vjetrimit të tyre, kështu që unë nuk e di, mundësitë e tyre janë të pakufizuara dhe asgjë nuk më befason më, nuk ka kufi në pazarllëkun politik në këtë vend”, thotë Tortevski.
PSP e Maqedonisë – hibrid midis asaj në SHBA dhe Rumani

A janë bërë vlerësime të gabuara gjatë përgatitjes së ligjit për Prokurorinë speciale publike? PSP e jonë, thonë njohësit e rrethanave, është një lloj hibridi midis përvojave në SHBA dhe Rumani.

“Pra, e keni Rumaninë, ku përbërja e prokurorëve në Prokurorinë speciale publike është zgjedhur në të njëjtën mënyrë sikur te ne dhe është organ i veçantë i cili funksionon, megjithatë ashtu siç është paraparë, është në strukturat e sistemit gjyqësor. Ndërsa në sistemin amerikan, prokurori të tilla krijohen ad hoc për raste konkrete, kur ka nevojë, ndërsa ngjashmëria e PSP me ata është në autonominë që e kanë”, thotë Petrovska.
Në SHBA, tani punon këshilltari special Robert Mueler, i cili është përgjegjës për të hetuar ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të cilat i fitoi presidenti aktual Donald Trump. Ai erdhi në këtë post në maj të vitit të kaluar, pasi Trump e shkarkoi drejtorin e FBI, Xhejms Komi.

Në Amerikë, ka një praktikë që për afera të mëdha politike të vendosen këshilltarë specialë. Shembull i tillë është Arçibald Koks, jurist amerikan, avokat dhe profesor universitar i cili ishte prokuror special publik për aferën Uotergejt (Watergate). Ai më parë nuk kishte punuar në strukturat e prokurorisë publike, por siç është praktika atje, ka ardhur nga radhët e juristëve të njohur dhe ka qenë i emërua për të zgjidhur aferën e cila në fillin të viteve shtatëdhjeta të shekullit të kaluar i dridhte Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Asokohe me SHBA udhëhiqte republikani Riçard Nikson, i cili e shkarkoi Koksin derisa ky ishte duke e hetuar aferën për vendosje të pajisjeve të përgjimit në Partinë Demokratike rivale. Por përkundër këtij hapi të politikanit, përgjimi u vërtetua, ndërsa kundër Niksonit filloi procedura për impiçment (procedurë e vënies në pyetje të integritetit) të tij, të cilën ai e shmangi duke dhënë dorëheqje në vitin 1974.

Praktika e emërimit të prokurorëve specialë publik në Amerikë është shumë e vjetër. Të parin e ka emëruar presidenti Julisiz Grant, i cili e ka udhëhequr vendin nga viti 1869 deri në 1877 për të zgjidhur aferën me fshehjen e tatimit për shitje të uiskit, në të cilën kishin qenë të përfshirë zyrtarë qeveritarë, politikanë, prodhues dhe distributorë.
Gana, shtet i Afrikës perëndimore, nuk ka praktikë si të SHBA. Atje Prokurori special publik u emërua në korrik të vitit të kaluar dhe detyra e tij kryesore është të punojë dhe të luftojë kundër korrupsionit të lartë.

Korrupsioni mund të mposhtet?!

Në rajonin tonë, megjithatë, vëmendje të madhe kanë tërhequr sukseset, në luftën kundër korrupsionit, të ish-kryeprokurores në Drejtorinë rumune për luftë kundër korrupsionit, Laura Kodruta Kovesi. Tani, pavarësisht kundërshtimit të Bukureshtit, Komisioni i Parlamentit Evropian e ka zgjedhur atë për shefe të zyrës së re të prokurorisë evropiane për luftë kundër korrupsionit, zyrë e cila do të fillojë me punë kah fund të vitit të ardhshëm.
“Kam një mesazh për qytetarët dhe shoqërinë rumune: korrupsioni mund të mposhtet. Mos u dorëzoni”, këto ishin fjalët e ish-kryeprokurores për luftë kundër korrupsionit, Laura Kodruta Kovesi, pasi presidenti Klaus Johanis e shkarkoi verën vitin e kaluar pas kërkesave këmbëngulëse nga qeveria e krahut të majtë.
Fushata kundër Kovesit, e cila shihej si simbol i luftës kundër korrupsionit në një nga vendet më të korruptuara anëtare të Bashkimit Evropian, shkaktoi kritika jashtëzakonisht të mëdha të opozitës dhe shqetësim te bashkësia ndërkombëtare.

Por qeveria rumune shpalli njëfarë fitore të llojit të vet pasi Gjykata Kushtetuese i urdhëroi presidentit Johanis ta shkarkojë kreun e prokurorisë. Ai fillimisht nuk deshi ta nënshkruajë dekretin, por pasi figura të shquara në Partinë social demokratike në pushtet e kërcënuan me impiçment, ai e bëri këtë. Kovesi menjëherë doli para publikut:

“Është e arsyeshme të theksohet se drejtimi aktual politik nuk çon drejt një sistemi gjyqësor efektiv, por drejt bllokimit të tij”, tha ajo, duke theksuar se “mënyra brutale me të cilën qeveria po përpiqet të detyrojë me forcë reformat në gjyqësor tregon se qeveria dëshiron të jetë plotësisht e mbrojtur “.
Ish basketbollistja, katërdhjetë e pesë vjeçe, u akuzua nga Ministri i drejtësisë Tuodorel Toader për “shkelje të kushtetutës” dhe “dëmtim të imazhit të Rumanisë jashtë vendit”. Komisioni Evropian, si dhe presidenti Johanis, nuk ishin të bindur me argumentet e Bukureshtit për të shkarkuar Konvesin. Atëherë Komisioni Evropian e vuri në pikëpyetje edhe kryesimin e Rumanisë me Bashkimin Evropian.

Dekreti i nënshkruar nga presidenti rumun ngre një pyetje të madhe: a do të jenë kryeprokurorët të varur nga ministri i drejtësisë? Sipas deklaratës së saj, pavarësisht këtyre “sulmeve të papara” nga qeveria, Drejtoria e saj në vitin 2017 solli para gjykatës 1.000 njerëz, duke përfshirë tre ministra, pesë deputetë dhe një senator.
“Prokurorët e pavarur morën në pyetje disa njerëz, për të cilët mendohej se ishin të paprekshëm, pavarësisht pozitës tyre, pavarësisht statusit të tyre social dhe pasurisë së tyre “.

Shkarkimi i Kovesit, sipas disave, ishte për të mbrojtur kreun e social demokratëve, Liviu Dragnea, i cili njihej si politikani më i fuqishëm në vend. Ai u ndalua për t’u bërë kryeministër, shkaku i një mandati për dënim me burg të shqiptuar në vitin 2016 për mashtrim gjatë zgjedhjeve, ndërsa një vit më parë atij iu shqiptua edhe një dënim me burgu për shkak të skandalit me vende të rreme të punës. Disa kritikë paralajmërojnë se Rumania rrezikon të marrë rrugë të ngjashme si Polonia dhe Hungaria, qeveritë e të cilave, gjithashtu, janë akuzuar për dobësimin e institucioneve të pavarura dhe sundimin e ligjit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button