KAMPIONI I NISMAVE TË MËDHA KULTURORE

U bënë tridhjetë vjet qëkur vepra letrare e publicistike e Faik Konicës doli nga burgu i ekskomunikimit idiot dhe është në duart e lexuesve. Përgjatë viteve të heqjes së veprës së tij nga raftet e bibliotekave dhe librarive qenë të rrallë ata që guxuan t’ia përmendin emrin, hiq rojet e mjegullave ideologjike që flasinin përherë në kontekste negative. Më ka rënë të lexoj se edhe Konicën, njësoj si At Gjergj Fishtën, një personalitet tjetër gjigant i kulturës dhe letërsisë shqiptare, e kishte shpallur armik të racës sllave  Enciklopedia e Bashkimit Sovjetik e vitit 1945, ndaj, si i tillë, bashkë me veprën letrare, duhej patjetër të eliminohej nga lista e personaliteteve të shquara të letërsisë dhe të kulturës shqiptare. Pra: në vend se të zinte vendin e merituar në shkallët kierarkite të vlerave të kombit, vepra e Konicës u hesht si e mosqenë fare, kurse emri i tij u etiketua si tradhëtar, si përtac, si mendjemadh, si grindavec, si njeri i luhatshëm dhe i paparcaktuar poilitikisht e ideologjikisht, si krijues që nuk arriti të shkruajë asgjë të vlefshme dhe i cili nuk e realizoi veten në asnjë fushë të kulturës dhe në asnjë zhanër e lloj shkrimi.

Si për inercion e paradoks, emrin dhe veprën e tij të papërsëritshme e përçmojnë akoma ekspertët gjithollogë dhe levantinët konicianë, si puna e një dhaskali injorant që i thotë vetes mësues i gjuhës dhe lëtërsisë shqipe, i cili ka nisur t’ma lakojë emrin në ca paçavra të shkruara me shputa, sigurisht pse e këshillova siç këshillohen kalamajtë, që të mos flasë gjepura për gjoja tradhëtitë e Konicës e të Koliqin, para se t’ua lexojë veprat; që të mos i quajë tradhëtarë, vetëm pse të tillë i konsideroi sistemi i hurit e litarit, sepse askund në botë nuk fyhen PROMETEJËT pa ua administruar paraprakisht fajet.

Të këtillët, mbase përpara të tjerëve duhet ta dinë se Faik Konica, edhe sikur mos ta kishte themeluar e mbajtur në jetë për 12 vite të plota revistën e tij enciklopedike, edhe sikur mos t’i kishte shkruar esetë e famshme (“Shqipëria si m’u duk”, “Shqipëria – koipshti shkëmbor i Evropës Juglindore”, “Mbi gjuhët e natyrshme dhe artificial”…), edhe sikur mos t’ishte autor i prozave të papërsëritshme narrative (“Dr. Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit” dhe “Katër përralla nga Zullulandi”), edha pa portretet, poezitë dhe prozat e pakalueshme poetike, edhe pa polemikat e tij atipike, edhe pa kontributin e tij të jashtëzakonshëm si veprimtar i çështjes shqiptare…, do të mbetej përgjithmonë në kujtesën e shqiptarëve dhe do ta meritonte respektin e tyre, për shkak se është nismëtari i shumë fushave të kulturës dhe gati i të gjitha zhanreve dhe formave letrare të shkruara në gjuhën shqipe.

Po jap në vijim të dhanat e mbledhura për këto nisma, jo për të mbrojtur personalitetin e Faik Konicës, sepse ai lindi, jetoi dhe vdiq i pastër, i vetëdijshëm edhe për cenet me të cilën e fali Zoti, po për t’ua ofruar lexuesve të respektuar të shkrimeve të mia në PortAlb një informatë, të cilën mbase nuk e kanë të plotë.

Si e para, Faik Konica është zbuluesi i Flamurit tonë kombëtar, të harruar me shekuj prej shqiptarëve të gjendur nën thundrat e të tjerëve; ai është kritiku i parë serioz dhe modern i letërsisë shqipe; i pari që nisi t’i shoqërojë me kritika librat e letërsisë shqipe; themeluesi i gazetarisë së mirëfilltë shqiptare; themeluesi i esesë shqiptare; eseisti i parë shqiptar që shkroi për letërsinë botërore; teoricieni i parë i letërsisë shqipe; albanologu që e ngriti shqipen në rangun e gjuhëve të shkathta; i pari që kërkoi unifikimin e gjuhës së përbashkët shqipe; mbrojtësi i gjuhëve të natyrshme të popujve të vegjël evropianë, që rrezikoheshin nga zhbërja dhe zëvendësimi i tyre me gjuhë artificiale, si esperantoja…; i pari që shkroi për traditën kulturore të arbëreshëve të Greqisë; i pari që popullarizoi albanologët e huaj dhe punën e tyre të vyeshme; i pari që ngriti zërin në mbrojtje të albanologut të shquar Norbert Joklit; i pari që botoi mendimet e Lajbnicit mbi gjuhën shqipe; i pari që foli për vazhdimësinë e rasave në gjuhën shqipe; i pari që foli për ekzistencën e veprës “Speculum confessionis” të P. Budit; i pari që afirmoi veprën e Kristoforidhit, Mitkos, Fishtës, Çajupit…; njëri ndër propaguesit, kultivuesit dhe përçuesit më këmbëngulës të lëvizjes mendore evropiane te shqiptarët; njëri ndër themeluesit e novelistikës shqiptare…

Jua merr mendja se, gjatë jetës së tij Konica ka bërë edhe shumë punë të tjera në favor të etnisë së tij fatkeqe, të cilat, gjithsesi: nuk mund t’i bënte kurrë një shpirtshitur.

Kaq për sot.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button