Shkupi ka ujë të mjaftueshëm, ai është i sigurt për pije
Banorët e Shkupit pinë ujë të pastër dhe nuk duhet të shqetësohen se a do të kenë mjaftueshëm, ujë ka. Këtë sot e theksuan kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov dhe drejtori i Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”, Dushko Veskovski dhe Zoran Bozhinovski, drejtori i Qendrës për Kontroll Sanitar ku shënuan 22 Marsin- Ditën Botërore të Ujit, transmeton Portalb.mk.
“NP Ujësjellësi dhe Kanalizimi e garanton kualitetin e ujit për pirje në Qytetin e Shkupit dhe e kemi një nga burimet më të mira në Evropë, dhe ky është burimi në fshatin Rashçe”, deklaroi Veskovski pas vizitës në burimin e fshatit Rashçe.
Kryetari i Qytetit të Shkupit theksoi se uji që e pinë shkupjanet është i sigurt dhe është e pamundur të jetë i ndotur. Uji i Shkupit, siç tha ai, është një nga tre ujërat më të mirë në Evropë.