Fytyra tjetër e Paviqit

Milorad Paviqi (1929 – 2009) fitoi lavdi ndërkombëtare me Fjalori Kazar (1984). Kritika letrare serbe veprën e tij e quajti “mahnitje letrare”, por ajo nuk e mahniti Danilo Kishin, i cili Paviqit nuk ja honepste gjuhën dhe krahasimet e pakuptimta.

I portretizuar si shkrimtar i heshtur, që rrinte larg politikës, Paviqi, megjithatë, ka një profil tjetër si qytetar. Ai ishte ndër të parët që i dërgoi telegram urimi Millosheviqit, sapo erdhi në krye të partisë. “Shenjti i ri serb”, sipas Paviqit, “do ta ndalonte gjenocidin ndaj pjesëtarëve të qytetërimit të krishterimit lindor”. Shkrimtari Vidosav Stevanoviq, një kundërshtar i Millosheviqit, e ironizonte duke thënë se prej gjithë telegrameve të rreme, vetëm njëri ishte i sinqertë: ai i Milorad Paviqit.

Në bisedën me shkrimtaren Ana Shomlo, që është përfshirë në librin Kazarët ose ripërtëritja e romanit bizantin (1990), Paviqi e quan Millosheviqin “Shën Sava i kohës sonë”.

Kur shkrimtarja Ana Shomlo i sugjeroi që ta korrigjonte këtë mendim, Paviqi i tha se asnjë shkrimtar nuk mund ta fitonte çmimin Nobel pa lobimin e shtetit.

Kur në vitin 1993 ndodhte tmerri në Bosnjë, Paviqi i deklaronte gazetës “Politika” të Beogradit se Millosheviqi ishte “politikani i parë dhe i fundit, i cili, në kohën kur Jugosllavia komuniste ishte orientuar kundër serbëve, bëri diçka të mirë dhe të madhe për Serbinë”.

“Të gjithë e dimë se në çfarë kushtesh të rënda veproi [Millosheviqi] dhe atë brenda një kohe të shkurtër. Por unë nuk e shoh vetëm atë. Si pjesë të qeverisë serbe e shoh edhe Rashkoviqin dhe Babiqin, Karaxhiqin dhe Haxhiqin, Joviqin dhe Drashkoviqin, Sheshelin dhe Miqunoviqin, Koshtunicën dhe Paroshkin dhe shumë të tjerë”, tha Paviqi.

Shkrimtari disident, Mirko Kovaçi (i cili u detyrua të largohej nga Beogradi, pas sinjalizimit prej diplomatëve të huaj se ishte përfshirë në një listë likuidimi), në librin e tij Elita më e keqe se turma, i analizon “heronjtë” e Paviqit.

Kovaçi shkruan: “Jovan Rashkoviqi, psikiatër, vdiq në Beograd më 1993 duke i shpëtuar Tribunalit të Hagës; Babiqi e pranoi fajin para Tribunalit të Hagës dhe dëshmoi kundër Millosheviqit, u dënua me 13 vjet burg, bëri vetëvrasje; Karaxhiqi ishte në krye të top – listës së kriminelëve, kurse sjellësi i kokës së tij do të fitonte pesë milionë dollarë, aq sa bashkëkombësit e tij ishin krenarë që njeriu i tyre e arriti këtë çmim në tregun botëror të krimit; iku në Beograd, ku u fsheh pas një mjeku popullor me emrin Dabiq; i arratisur është edhe Haxhiqi, ky trim serb që gjeti strehim diku në “Serbinë rreth Moravës”; Joviq Borisav gjithashtu përpëlitet në fshatin e tij në Shumadi, nëse për këtë ka menduar shkrimtari, sepse ka edhe një Joviq nga revolucioni antiburokratik, i cili kishte mjaft merita në top listën e fundërrinave; Drashkoviqi është shfaqje e furishme, madje edhe Dobrica [Qosiqi] tha se Vuku është njeri i çmendur dhe i vrullshëm; Shesheli është i burgosur në  Sheveningen; Miqunoviq është i vetmi i pastër, por një figurë e zbehtë politike; Koshutiqi është nacionalist i ligës së tretë, për të cilin nuk kujtohet askush; Paroshki është i çmendur dhe njihet për deklaratën se “kroatët duhet vrarë si qentë në tarabë”, vendin e ka në psikiatri. Lexues, këta janë të zgjedhurit e shkrimtarit Milorad Paviq, të ashtuquajturit Cici. Kjo është shoqëria që ai beson se duhet ta udhëheqin vendin e tij”.

Kovaçi e ironizonte Paviqin edhe për shkak të deklaratës mbi demokracinë. Sipas Paviqit, librat e të cilit filluan të lexoheshin në Serbi pas përkrahjes që ja dha “Shën Savës së kohës sonë”, demokracia “ua lejonte popujve të vegjël që t’i terrorizonin popujt e mëdhenj”. Kështu, sipas Paviqit, hebrenjtë u frikësohen palestinezëve, anglezët irlandezëve dhe serbët shqiptarëve.

Studiuesi boshnjak, Enver Kazaz, në studimin “Elita e ideologjisë dhe kultura e krimit”, thotë se Milorad Paviqi e ka përkrahur dhe legjitimuar regjimin e Millosheviqit dhe diktaturën nacionaliste. Paviqi e ka projektuar Millosheviqin si “mesia i kombit”, kurse nëpërmjet romanit Fjalori Kazar e ka legjitimuar ideologjinë e krimit. Duke e barazuar fatin tragjik të kazarëve me fatin e serbëve dhe duke e futur në vepër elementin e vetë viktimizimit, ai e përligj moralisht ideologjinë e krimit. “Nëpërmjet gjesteve të vetë viktimizimit zhvillohet frika kombëtare dhe, si pasojë, militarizohet dhe radikalizohet edhe më shumë bashkësia kombëtare”. Me këtë logjikë, thotë Kazaz, urrejtja ndaj të tjerëve pranohet si vlerë etike.

Kur Millosheviqi përfundoi në Tribunalin e Hagës, Milorad Paviqi u distancua nga “Shën Sava i kohës sonë” dhe e krahasoi atë me Satanën, ngjashëm sikurse kishte vepruar miku i tij, akademiku famëkeq, Dobrica Qosiq. Tani shkrimtari e shihte shpëtimin te kurora mbretërore e Karagjorgjeviqëve, e cila Serbisë “do t’i siguronte tolerancë dhe demokraci”. Formula e re, për një ardhmëri të sigurt të serbëve, sipas “shkrimtarit më të njohur të popullit më të urryer në botë”, tani duhej të ishte: më pak gjeneralë dhe më shumë diplomatë e tregtarë. Gjeneralët e kishin kryer misionin që ua kishte ngarkuar djalli. Tani këtë mision duhej ta vazhdonin diplomatët dhe tregtarët.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button